Enkelejd Alibeaj vendos këto kritere për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Por Berisha nuk e njeh Alibeajn

Enkelejd Alibeaj, në cilësinë, sipas tij të kryetarit në detyrë të PD dhe kryetar i grupit parlamentar demokrat ka paraqitur këto kritere për zgjedhjen e Presidentit. Por PD-ja e drejtuar nga Berisha nuk e njeh fare Enkelejd Alibeajn jo vetëm si kryetar në PD, por as shef të grupit parlamentar.

E megjithatë Enkelejd Alibeaj ka propozuar si me poshtë:

KRITERET PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Sipas Kushtetutës, President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.

Gjykata Kushtetuese është shprehur se Kushtetuta, duke ndjekur modelin e republikës parlamentare, e ka konceptuar Presidentin me pozitë neutrale, mbi palët (super partes), me rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizave, balancimin e pushteteve dhe kryerjen e funksioneve të tyre respektive, që lidhet edhe me procedurën e zgjedhjes së tij nga shumica parlamentare të nevojshme dhe përmes raundeve të votimit. Presidenti nuk duhet të investohet politikisht, ai nuk duhet të shihet as si pjesë e drejtpërdrejtë e ekzekutivit dhe as si pjesë e drejtpërdrejtë e partive politike, por si një arbitër kushtetues, i cili vetëm në këtë pozicion mund të zgjidhë krizat institucionale dhe të bëhet garant i Kushtetutës. Pavarësisht se nuk merr vendime politike, Presidenti ka ndikim në jetën politike të vendit, në përputhje me këtë rol që Kushtetuta i ka caktuar. (vendimet nr. 1/2022 dhe nr. 26/2021 të Gjykatës Kushtetuese).

Grupi parlamentar i PD-së, vlerëson se përvec këtyre kritereve kushtetuese, Presidenti i Republikës duhet të përmbushë edhe kritere specifike, që garantojnë integritetin e tij moral dhe profesional për përmbushjen e detyrës kushtetuese me neutralitet dhe besnikëri ndaj Kushtetutës. Ndër këto kritere specifike mund të përfshihen:

Kandidati për President të Republikës, gjatë 5 viteve të fundit, nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake, në kuptimin që të mos ketë mbajtur funksione politike në organet shtetërore dhe as pozicione në organet drejtuese të ndonjë partie politike.

Kandidati për President të Republikës, përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit, në kuptimin e kontributeve politike, ku të ketë dëshmuar aftësi për të vendosur në situata të vështira dhe aftësi për të përballur presionin/ndikimin e papërshtatshëm politik. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij në kauza të rëndësishme civile përbëjnë avantazh;

Kandidati për President të Republikës duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë, si dhe të pagimit të të gjitha detyrimeve tatimore, bazuar në dokumentacionin zyrtar të institucioneve shtetërore përgjegjëse.

Kandidati për President i Republikës nuk duhet të ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, si dhe në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij për zhdukjen dhe crrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh.

Kandidati për President i Republikës duhet të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit.

Kandidati për President i Republikës duhet të ketë një përvojë në punën e tij për të paktën 15 vjet, ku të ketë dëshmuar integritet moral dhe profesional të lartë dhe të provuar, si dhe të ketë dëshmuar paanësi politike në veprimtarinë dhe qëndrimet e tij publike, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek figuara që zgjidhet si President. Dëshmitë për përkushtimin e Presidentit ndaj vlerave themelore kushtetuese, ndaj procesit të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe vlerave euro-atlantike përbëjnë avantazh.

PROCES GJITHËPËRFSHIRËS DHE KONSENSUAL SHUMICË-PAKICË PARLAMENTARE

Për të siguruar pranimin e të gjitha palëve politike tek figura e Presidentit të Republikës, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek Institucioni i Presidentit të Republikës, është e nevojshme që procesi parlamentar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës të jetë transparent, gjithëpërfshirës, luajal ndaj Kushtetutës dhe konsensual. Ai duhet të bazohet tek diskutimi dhe dialogu i sinqertë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, ku secila palë të ketë rol aktiv në përzgjedhje. Në këtë drejtim, palët duhet të bien dakord në formësimin e një procesi të përbashkët, që siguron rol të balancuar të të gjitha palëve. Vetëm pas dakordësisë mbi rregullat e përbashkëta të procesit, palët mund të kalojnë në fazën e propozimit të emrave konkretë, me synimin e përbashkët për përzgjedhjen e kandidatit më të mirë të mundshëm për ushtrimin e detyrës së Presidentit të Republikës.Procesi duhet të synojë me cdo kusht zgjedhjen e Presidentit të Republikës me shumicë të cilësuar prej të paktën 84 vota.Një formulë për procesin, pa qenë e kufizuar dhe që mund të përsoset me kontributin e të gjitha grupeve parlamentare, mund të jetë si më poshtë:

Palët bien dakord paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kriteret e dakordësuara publikohen menjëherë;

Opozita Parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme, të cilat paracaktohen në kriteret e caktuara sipas pikës 1. Këto propozime paraprakisht i nënshtrohen konsultimit publik;

Mazhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh.

Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare.

Kjo procedurë përsëritet për cdo raund, ku skualifikohen kandidatët që nuk janë përzgjedhur sipas pikës 2, dhe kandidati që nuk ka marrë mbështetjen në seancë plenare.

Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mosriparimit të shkeljes ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces duke treguar publikisht edhe shkakun.

SHKARKO APP