Enkelejd Joti në krye të RTSH-së, PD: Votim i paligjshëm
PD-ja e quan të paligjshme emërimin e Enkelejd Jotit në krye të RTSH-së. Deputeti dhe kryetari i Komisionit të Medias, Agron Gjekmarkaj thotë se PD e konsideron të parregullt zgjedhjen e Jotit në krye të RTSH-së, pasi s’ka asnjë përfaqësues të opozitës në Këshillin Drejtues të RTSH-së, organ që zgjedh drejtuesin e RTSH-së.
Deklarata
Partia Demokratike e konsideron të paligjshëm votimin për drejtorin e ri të Radio Televizionit Shqiptar. Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të marrë vendime që përcaktojnë kush do të drejtojë median, për te cilën shqiptarët, me apo pa parti, paguajnë taksë.
Përsa kohë opozita është e papërfaqësuar në këtë Këshill dhe disa anëtarë të saj janë zgjedhur në parlament pa pëlqimin e PD, ne i konsiderojmë nul të gjitha vendimet e tij.
Ligji parashikon që Këshilli Drejtues të jetë i balancuar politikisht në mënyrë që të garantohet jo vetëm përfaqësimi, por edhe pavarësia, integriteti dhe autoriteti i këtij enti publik. Me emërimin e sotëm, Edi Rama e hodhi në erë këtë parim, duke u provuar edhe një herë si armik i ligjit dhe i pavarësisë së medias.