Eno Karapici: Ja si do të funksionojnë zonat e lira ekonomike në Durrës, një projekt që ka korrur sukses në disa vende

Dje në Durrës LSI ka prezantuar planin e saj për rimëkëmbjen e ekonomisë së Durrësit. Ky projekt u prezantua nga Anëtari i Kryesisë së LSI Durrës, Eno Karapici i cili vjen nga bota e financës.

Elona Guri si drejtuese politike e fushatës për LSI në Durrës, po bën dallimin sepse po i jep hapësira maksimale ekspertëve të fushave të ndryshme siç ishte rasti me Eno Karapicin që vjen nga bota e financës. Ky është një mesazh i fortë nga Znj Guri që projekti politik këtë radhë është në duar të profesionistëve.

Karapici në fjalën e tij ku shpjegoi projektin tha:

“Sot do të lancojmë një projekt të rëndësishëm për qytetin e Durrësit që do të ndikojë në të gjithë Shqipërinë. Do të jetë një model i bazuar mbi parametra të mirë ekonomikë.

Do të bëjmë një prezantim për zonat e lira, situatën e Durrësit sot, një model suksesi që ekziston sot që ka sjellë suksese në ekonominë e disa vendeve.

Zonat e lira ekonomike janë territore brenda një shteti që ofron lehtësira fiskale dhe procedura të thjeshtuara doganore, dhe firmat sjellin kapitalet e tyre dhe duke kontribuar direkt në rritjen ekonomike të vendit.

Në rajon aktualisht kemi 400 kompani të huaja që kanë sjellë investime në 2.5 miliardë euro.

Serbia ka përfituar 22 mijë vende pune, Maqedonia 1500 vende pune, Bosnja 1700. Këto investimeve kanë sjellë ndikime pozitive në arsim, transferim teknologjie dhe integrimin e furnizuesve lokalë në rrjetin ndërkombëtar. Këto tregues janë shoqëruar me rritje të theksuar eksportesh, kanë thithur kompani të njohura ndërkombëtare dhe rritje pagash.

Pse Durrësi duhet të ketë zona të lira ekonomike? Të dhënat tregojnë se Durrësi ka humbur shumë dhe është renditur i 4 ndër qytetet me rëndësinë ekonomike. Tërmeti dhe Covid kanë ndikuar me efekte dhe dëme ekonomike. Këto kanë sjellë një ulje me 30-40 % ulje të të ardhurave në bizneset e Durrësit.

Ne kemi parë që Maqedonia e Veriut është një model suksesi dhe ka treguar që po të ketë vullnet e dëshirë këto projekte mund të realizohen dhe janë të arritshme. Vetëm në Maqedoni këto projekte kanë përmirësuar ndjeshëm ekonominë, eksportet janë rritur me 47% dhe me rritje të pagës mesatare në 600Euro. Sot Maqedonia është ndër vendet më tërheqëse në Europë për investime.

Propozimi ynë është që në Durrës të ndërtojmë 2 zona të lira ekonomike dhe teknologjike, Durrësi 1 dhe 2. Fillimisht do të nisë me një sipërfaqe 200 hektarësh, Durrësi i plotëson kushtet për të qenë një model që të funksionojë, sepse ka një popullsi prej 300 mijë banorësh, popullsi të re dhe universitet. Pozicioni gjeografik është shumë i favorshëm. Kemi portin, hekurudhën, rrjetin e autostradave dhe pranë aeroportit të vendit.

Faza e parë është Durrësi 1 do të jetë nga 12 deri në 18 muaj ku pritet të hapen rreth 2 mijë vende pune. Dhe Durrësi 2 do të realizohet për një periudhë prej 12 prej 36 muajsh që do të hapen rreth 6 mijë vende pune”.

SHKARKO APP