Epidemiologu: Kurbën e epidemisë do e kalojmë me mijëra të infektuar
Shqipëria është në javët e vështria dhe ekspertët flasin se kurba do të kapë mijëra qytetarë. Epidemiologu Alban Ylli, pohon se në vendin tonë kanë nisur të bëhen projeksione për numrin që do të preken me koronavirusin. Mjeku bëri të ditur se bazuar edhe në parametrat e Kinës, Shqipëria do të kalojë kurbën e zakonshme të epidemisë, duke prodhuar disa mijëra të infektuar.
“Kolegët e ISHP kanë filluar të bëjnë projeksione, të cilat mos harrojmë varen nga disa parametra. Nuk mund të bazohen në fakte të forta që nuk kanë ndodhur ende. Prirja e deritanishme e epidemisë e kombinuar me parametrat e huazuara nga epidemia në Kinë dhe më gjerë të lënë të kuptosh që në Shqipëri do të kalojmë në kurbën e zakonshme të epidemisë, e cila me shumë gjasë do të prodhojë disa mijëra të infektuar”.
Nga ana tjetër, Alban Ylli tha se nëse do të duhet të ecim sipas strategjisë së Kinës, duhet të bëhen sa më shumë gjurmime dhe izolime. “Të gjitha shoqëritë perëndimorë do të duhen të kenë një zbutje të masave me kalimin e kohës, me gjasë nga muaji prill. Unë mendoj që edhe Shqipëria do të ketë nevojë, ky do të jetë një vendim që do të merret nga autoritetet përkatëse, por edhe në OBSH janë duke përmendur këtë. Masat e deritanishme janë për të frenuar qarkullimin e virusit, për të përgatitur sistemin shëndetësor për ta përballuar atë më mirë, por edhe për të adaptuar strategji akoma me efikase, më precizë, me kirurgjikale, më klinike pra më specifike, të cilat në një farë mënyrë i lënë frymëmarrje ekonomisë, shoqërisë, por nga ana tjetër ndërpresin qarkullimin e virusit në komunitet aq sa është e mundur”.