Epidemiologu Ulqinaku: Ja pse është mirë që të kemi raste të reja çdo ditë

Epidemiologu Dritan Ulqinaku deklaroi në “Ditari” në A2 se edhe për dy javë të tjera do të jetë e vështirë që në vendin tonë të mos ketë raste të reja me Covid-19, por, sipas tij, shifra e ulët e rasteve do të bëjë që të vazhdojmë të jemi të përqendruar ndaj virusit. ”Shifrën 0 nuk do të mund ta kemi mendoj edhe për dy javë të tjera. Ne do të vazhdojmë të jemi të fokusuar te Covid-19 dhe në këtë kuptim është mirë që të kemi raste të reja çdo ditë. Sheshimi në zero i rasteve është shumë i vështirë. Ne duhet të mësohemi me raste të përditshme për një kohë të gjatë”.

Sipas tij, lirimi i masave nuk do të sjellë shumëfishim të rasteve. “Njerëzit e kanë vrarë frikën, por distancimin e kanë respektuar dhe për këtë arsye kemi pak raste ditore. Hapja nuk do të sjellë shumëfishim të rasteve. Lehtësimi i masave ka ardhur edhe për arsye të temperaturave të larta. Ambientet e jashtme nuk e favorizojnë infeksionin, ato të mbyllura e favorizojnë. Deri në shtator apo tetor nuk do të kemi valë të fortë. Por, bota po përgatitet për valën e dytë dhe ne nuk duhet ta harrojmë pandeminë dhe masat”.

Kur u pyet nëse rritja e numrit të testimeve do të ndihmonte për përballimin e kësaj vale të dytë, Ulqinaku tha: “Tani që ka pak raste në ditë, hetimi epidemiologjik do të thellohet edhe më tej”. Në lidhje me hipotezën se koronavirusi i ri ka qarkulluar që në janar në vendin tonë, Ulqinaku deklaroi se nëse kjo do të ishte e vërtetë, në mars do të kishim pasur 200-300 raste në ditë.

SHKARKO APP