Episodet për të cilat SPAK-u kërkon arrestimin e Ahmetajt

Janë zbardhur episodet korruptive për të cilat akuzohet nga Prokuroria e Posaçme ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Shumat e konsiderueshme të parave, që dyshohet të jenë përfituar nga Arben Ahmetaj janë paguar në mënyrë të tërthortë nga biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

Sipas dosjes së SPAK, episodi i parë ka të bëjë me një shumë prej 170 mijë euro, në vitet 2016-2017, duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve A. M. dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një “shitjeje” ndaj një personi tjetër të dy apartamenteve 124 dhe 148 metër katrorë në Selitë. Kjo shumë parash sipas SPAK është paguar në mënyrë të tërthorë nga Zoto e Mërtiri.

Rasti i dytë ka të bëjë me pasurinë vilë me sipërfaqe 98 m2 në Hamallaj dhe 521 m2 sipërfaqe truall. Ajo është përfituar nga Ahmetaj prej Klodian Zotos e Mirel Mërtirit në mënyrë të tërthortë, përmes transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të Klodian Zotos dhe në vijim në emër të G.K, e më pas në pronësi të bashkëjetueses së ish-zv/kryeministrit, Eriola Hoxha.

Rasti i tretë ka të bëjë me një shumë prej 130 mijë euro, e cila në vitin 2017 dhe 2018, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit është paraqitur si pagesë e bërë për llogari të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, Albina Maçka dhe ish-zv/kryeministrit përkundrejt një shitjeje ndaj shtetasit B.P të një apartamenti me sipërfaqe 178 m2 dhe një garazhi në Selitë. Kjo vlerë është paguar nga shtetasit Klodian Zoto e Mirel Mërtiri dhe shoqëria “Integratet Technology Servises”, përmes shtetasit B.P.

Marrë nga /A2cnn/

SHKARKO APP