Epopeja e uniformave të Policisë 2017-2020/ Tenderi u anullua dy herë, ofertat nuk përputheshin me kriteret

Përgjimet më të fundit të antimafias italiane, të publikuara nga RTV Ora dhe Ora News, nxjerr në pah një tjetër sektor ku Ndragheta kërkonte të fuste hundët: uniformat e Policisë së Shtetit.

Teksa flasin për kompani me 6500 punonjës në Malësi të Madhe dhe për prodhim të pantallonave, Luciano D’Alessandro thotë se një person i tretë i ka thënë se Policia do të ndërrojë uniformat, raporton Ora News.

Në faqen 506 në regjistrimet e bëra në 25 korrik të vitit 2017 shfaqet dhe interesimi për zhvillimet politike në Tiranë.

Në përgjime dëgjohet teksa krerët e mafias në Itali presin emërimin e ministrit të ri, i cili sipas tyre do të firmosë menjëherë kontratën.

Tenderi në fjalë është anulluar disa herë, ndërsa vetëm në vitin 2019 procedura është përmbyllur dhe fitues u shpall një bashkim operatorësh.

Uniformat 2017-2020

Referuar të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike në prill të vitin 2017, kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri u hap tenderi me një fond prej më shumë se 1 miliardë lekë.

Por rreth 6 muaj më vonë do të ishte pasardhësi i tij, Fatmir Xhafaj i cili do e anulonte procedurën për shkak se asnjë nga ofertat nuk përputhej me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Tenderi synonte të pajiste punonjësit e policisë me uniforma, këpucë lëkure, grada si dhe aksesorë.

Megjithatë prokurimi është rihapur sërish në gusht të vitit 2018. Referuar të dhënave tenderi me fond limit 908 milionë lekë parashikohej të mbyllej në 24 shtator.

Në muajin dhjetor në APP u publikua njoftimi se prokurimi ishte anuluar sërish, me të njëjtin argument, ofertat nuk përputheshin me kriteret.

Me marrjen e detyrës, një nga vendimet e Ministrit Sandër Lleshaj do të ishte dhe zhvillimi i tenderit për unifromat e policisë.

Në faqen zyrtare të APP në muajin korrik të vitit 2019 u njoftua se kompanitë e interesuara do të kishin afat për të dërguar ofertat e tyre deri në gusht.

Megjithatë pas rreth një viti nga data e hapjes së prokurimit u shpall fituesi i tenderi me fond prej 2.8 miliardë lekësh.

Fitues i kësaj kontrate ishte D&E me administrator dhe pronar të vetëm, Ismail Kadiun, në bashkëpunim me 3 kompani të tjera të huaja.

Në fakt në garë kanë hyrë 3 operatorë, dy prej të cilëve janë skualifikuar për mosplotësim kriteresh teknike.

Me këtë fond do të sigurohen 8 tipe të uniformave, 4 forma të gradave, stema dhe këpucë të posaçme.

/Ora News

SHKARKO APP