”Erdha me këmbët e mia”, Bruno Çobo kundër Ballës: Nuk më ekstraduan nga Dubai

Këtë të enjte Bruno Çobo doli para Gjykatës së Posaçme, kur nuk janë bërë as 24 orë nga mbërritja e tij nga Dubai. Togat e zeza i komunikuan masën e ”arrestit në burg” që ishte marrë në mungesë, sa i takon përfshirjes së tij në rrjetin kriminal të mashtrimeve me vlerë 4.7 milion euro ndaj shtetasve italian përmes platformave të call-center-ave.

Në sallën e gjyqit, Çobo jo vetëm që hodhi poshtë deklarimet e ministrit të Brendshëm Taulant Balla që tha se ishte ekstraduar përmes procedurës së thjeshtuar, por që ka udhëtuar i vetëm me vendimin për t’u vetëdorëzuar.

“Erdha me këmbët e mia në Shqipëri. Nuk më ka shoqëruar asnjë autoritet i Emirateve apo Dubait. Erdha në Rinas dhe në pikën e kalimit, iu komunikova se kush jam dhe cili ishte qëllimi i ardhjes time. U njoftuan shërbimet dhe më shoqëruan. Madje më ngjitën në avion edhe njëherë”.

Bruno Çobo i ka dërguar nëpërmjet postës Zyrës së Interpol Tirana një kërkesë ku i kërkon që të vetëdorëzohet e t’i krijohen kushtet për tu kthyer në Shqipëri.

SHKARKO APP