Erdhën nga Britania dhe shkelën karantinën, 7 milionë lekë gjobë
Policia e Shtetit, ka gjobitur 6 qytetarë të cilët pasi u kthyen nga Britania e Madhe, pasi shkelën karantinën 14-ditore. Sipas asaj që njofton Policia Kufitare e Rinasit, shtetasit janë ndëshkuar me masën administrative 700.000 lekë secili. ”Të gjithë ata shtetas që kanë hyrë në Shqipëri gjatë javës së fundit të dhjetorit 2020, nga Britania e Madhe, nëpërmjet rrugës tokësore, detare apo ajrore, të mos tentojnë të shkelin vetëkarantinimin e detyrueshëm, pasi do ndëshkohen me masë administrative sipas Aktit Normativ dhe nuk do lejohen të lëvizin në drejtim të destinacionit të tyre pa kryer vetëkarantinimin e detyrueshëm”,-thuhet në njoftimin për shtyp.
Njoftimi i plotë
Në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, datë 21.12.2020, për ndalimin e lëvizjes përmes rrugëve ajrore me Britaninë e Madhe, ku në pikën 2 të këtij urdhri thuhet se personat që kanë udhëtuar nga Britania e Madhe dhe hyjnë në Shqipëri, janë të detyruar të vetëkarantinohen për 14 ditë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë mbajtur një regjistër të veçantë për këta persona dhe kanë njoftuar komisariatet përkatëse të qyteteve ku këta shtetas kanë vendbanimet.
Prej datës 01.01.2021 deri më datën 05.01.2021, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë intervisitimit dhe verifikimit të personave që dalin nga Shqipëria, kanë konstatuar 6 shtetas që kanë shkelur vetëkarantinimin e detyrueshëm dhe kanë tentuar të largohen nëpërmjet Rinasit për në destinacionin e tyre. Shërbimet e Policisë Kufitare nuk i kanë lejuar këta shtetas të udhëtojnë dhe secilin prej tyre e kanë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë.
Të gjithë ata shtetas që kanë hyrë në Shqipëri gjatë javës së fundit të dhjetorit 2020, nga Britania e Madhe, nëpërmjet rrugës tokësore, detare apo ajrore, të mos tentojnë të shkelin vetëkarantinimin e detyrueshëm, pasi do ndëshkohen me masë administrative sipas Aktit Normativ dhe nuk do lejohen të lëvizin në drejtim të destinacionit të tyre pa kryer vetëkarantinimin e detyrueshëm.