“Erdhi, pa, mori iku”/ Oketa i përgjigjet Topallit: Kam një karrige që nuk ma merr kush
I ftuar në Çim Peka LIVE ishte Gazmend Oketa, ish-zëvendëskryeministër i qeverisjes demokrate.
Ai komentoi një deklaratë të bërë në vitin 2012 nga ish-nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli për të, ku theksonte se ai ‘erdhi, pa, mori dhe iku’ nga PD.
“E sollën, pa, mori, iku. Nuk është hera e parë që e shoh këtë film, as në grupin tim parlamentar, as në politikën në Shqipëri në përgjithësi. Erdhi si një djalë i ri, në atë kohë dukej si një yll në ngjitje. Brenda pak muajsh PD e bëri deputet, e bëri ministër të Mbrojtjes, e bëri zëvendëskryeministër. Pasi humbi karrigen, kuptoi se nuk kishte më demokraci në PD,” do shprehej Topalli në atë kohë për Oketën.
Ky i fundit i tha Topallit se ai ka një karrige që nuk ia merr askush.
“Do të doja që temën e bisedës ta mbanim jo një replika mes dy ish-kolegësh. Sigurisht kam përgjigje jo vetëm për zonjën Topalli, por për cilindo. Por do ishte një përqasje e gabuar nëse ne do përcjellim modele të tilla.
Unë nuk kam hyrë në politikë për të treguar data. Por një gjë e them: nuk më ka marrë njeri për dore. Unë jam lindur, rritur dhe vazhdoj të jetoj në qytetin e Durrësit. Kam një karrige që nuk ma merr askush dhe ajo është karrigia e inxhinierit. Unë përgjigjem që objektivat e mi t’i arrij duke shpalosur ide dhe duke respektuar mendimin edhe të atyre që mendojnë ndryshe. Sqarimin tim atyre deklarimeve e jep vetë koha.
Ajo që do të thoja unë me keqardhje është se sot ndodhemi në një situatë ku pjesa më e madhe e klasës politike shqiptare në qendër të vëmendjes dhe angazhimit duhej të kishte rotacionin politik,” tha Oketa.
Rikthimi në PD
Ish-ministri demokrat, Gazmend Oketa, i ftuar në Çim Peka LIVE, shpjegoi sërish se përse u largua nga Partia Demokratike në fillim. Sipas tij, krisja e parë ndodhi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Më pas kishte momente të tjera, që sollën edhe ftohjen drejt largimit.
“Gjithsesi, metri që duhet të masë çdo politikan duhet të jenë qëndrimet e tij dhe parimet për të cilat është angazhuar në politikë,” tha ai.
I pyetur se përse u largua nga partia e zotit Bamir Topi, ai shpjegoi largimin dhe rikthimin në PD.
“Unë, faktikisht u largova nga angazhimi politik tërësisht pas zgjedhjeve të vitit 2017. E kisha biseduar edhe më parë që angazhimi im politik do përfundonte.
Rikthimi në PD nuk ka ardhur thjesht si insistim apo kërkesë e imja, por edhe si pjesë e asaj hapje apo bashkëpunimi të PD, jo vetëm me zotin Oketa, por edhe me individë të tjerë.
Unë e mbylla angazhimin tim politik, por ndjeja një angazhim moral për të rinjtë dhe të rejat e angazhuar për të djathtën, qoftë në PD apo FRD. Doja që të vazhdonin rrugën e tyre në politikë.
Në bisedime me ta, nisën edhe diskutimet për një riangazhim timin. Unë nuk jam në garë me askënd. Nuk i kam garat me bërryla. Mesazhi për të rinjtë në politikë është që të jenë vetvetja, të mos jenë as si unë, as si të tjerët,” tha Oketa.