“Erdhi si dado dhe u adoptua”, Isuf Kalo: Misteri i gruas çeke që jetonte në shtëpinë e Mehmet Shehut
Ish-mjeku i diktatorit Enver Hoxha, Isuf Kalo ka ndarë sot me publikun detaje nga historia e panjohur e gruas me origjinë çeke, që shërbeu për gati 20 vite në vilën e ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu.
I ftuar në emisionin “Real Story” në “News24” Kalo tregoi se ardhja e Maria Saas në “Bllok” ishte e mbuluar me mister, ndërsa theksoi se ajo ishte dadoja e fëmijëve të Shehut. Mes të tjerash Kalo tha se Maria u adoptua nga familja Shehu, madje edhe kur ndërroi jetë u varros në Sharrë, pranë varrit të nënës së Mehmetit, ndërsa mbante edhe mbiemrin e tij.
“Mehmeti kishte dhe engjëllin dhe djallin brenda. Kishte momente kur tregohej sensibël, dashamirës, por më pas kishte momente kur tregohej i egër e i pamëshirshëm. Jam habitur nga historia e Maria Saas, pasi kishte ardhur nga Çekia, por ku nuk dihej se nga cili vend. S’merrej vesh se si përfundoi tek kjo familje shqiptare. Ajo erdhi si dado e fëmijëve dhe u adoptua si person i familjes. Maria kishte një stil që vishej ndryshe, pinte ndonjë birrë në Voglla, ikte me makinë në kinema, madje ulej në një tryezë me ta. Kishte liri që ia kishte dhënë Mehmet Shehu. Ngjante mister, pasi të hyje në “Bllok”, duhej të verifikohej nga vije. Askush nuk ja përmendi Mehmetit, as kur i bënë gjyqin. As në atë material që bëri Enveri. Ajo vdiq kur ishte në Bllok. U varros pranë nënës së Mehmet Shehut, madje me emrin Maria Saas Shehu. Nga një anë Mehmeti bënte gjeste gjakatare, nga një anë tregonte mirësi. Dhe ky lëshim që i bëri të birit, kur u fejua me një vajzë me biografi të keqe, mendoi se e kishte fituar afrimin me Enver Hoxhën. S’donte t’ja prishte djalit. Vajza ishte e mrekullueshme. Por ishte konflikti me liderin”, tha mjeku Kalo.