Erdogan nuk bind Putinin, “buka e botës” do të mbetet në magazinat ukrainase
Presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan, nuk arriti të bindë homologun rus, Vladimir Putin, që të rikthehet në marrëveshjen për eksportimin e grurit nga portet në Detin e Zi. Dy liderët u takuan për disa orë në Soçi, me kryetemë rihapjen korridorit detar, ku nuk munguan as propozimet e reja për të shmangur një krizë të re ushqimore globale.
“Veçanërisht Ukraina duhet të zbusë qasjen e saj deri në atë pikë sa të ndërmarrë hapa të ndërsjella me Rusinë. Ne u kemi thënë atyre që jemi gati ta bëjmë pjesën tonë në këtë çështje. Gjithashtu u thamë: ‘Ne mund ta dërgojmë atë grurë që vjen nga ju për në vendet e varfëra afrikane në formën e miellit, duke e bluar atë në mullinjtë tanë”, tha Erdogan.
Putin rreshtoi kushtet e tij, duke kërkuar një korridor të lirë për eksportimin e grurit dhe fertilizuesve të Rusisë si dhe heqjen e pengesave në shërbimet bankare. Presidenti rus akuzoi Perëndimin se ka mashtruar me marrëveshjen për grurin, pasi, sipas tij, mbi 70% e grurit të dalë nga Ukraina ka shkuar për Bashkimin Europian dhe vendet e zhvilluara dhe vetëm 3% për të varfërit. Konfirmoi se Rusia do të dërgojë grurë falas për 6 shtete të Afrikës.
“Gjithmonë kemi rënë dakord që këto korridore të destinuara për eksport të ushqimit të mos përdoren për qëllime ushtarake. Dhe për fat të keq ato përdoren për këtë qëllim nga ana tjetër. Ne i shohim këto, ashtu siç po shohim tentativat për sulme ndaj gazsjellësit turk dhe gazsjellësit blu, përmes të cilëve Republika e Turqisë furnizohet me gaz nga Rusia. Anijet tona ruajnë këto sisteme tubacionesh dhe ato janë vazhdimisht nën sulm”, deklaroi Putin.