Erion Braçe për VOA: Ka portale, por edhe në rrjetet sociale, që bëjnë propogandë ruse dhe nuk janë mbyllur akoma!
Në Shqipëri komisioni i posaçëm parlamentar kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit, ka nxjerrë në pah mjaft problematika në këtë drejtim. Pas raportimeve të disa drejtuesve të institucioneve të rëndësishme në vend, është konstatuar se ka mungesë koordinimi mes tyre mbi përgjegjësitë në lidhje me dezinformimin, si dhe rrezik në rritje të ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në ekonomi dhe stektorë të tjerë të rëndësishëm. Analistë të zhvillimeve ndërkombëtare, mendojnë se kjo situatë lë hapësira për cënimin e sigurisë në vend.
Komisioni i posaçëm parlamentar që u ngrit së fundi, për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike, evidenton mjaft probleme sidomos kur bëhet fjalë për identifikimin apo adresimin e tyre. Pas agresionit rus në Ukrainë fushatat dezinformuese dhe sulmet kibernetike u shtuan në vendet që mbështesin Ukrainën.
Sipas të dhënave që vijnë nga komisioni i posaçëm edhe natyra e sulmeve është zgjeruar. Së fundi një prej tyre synonte shkatërrimin e gjithë shërbimeve të një prej institucioneve shëndetësore publike në vend. Kryetari i komisionit në fjalë Erion Braçe në një intervistë për Zërin e Amerikës veçoi me shqetësim se janë vënë re raste të ndërhyrjeve të huaja edhe në disa sektorë të ekonomisë.
“Fill pas luftës në Ukrainë një pjesë e madhe e operatorëve ekonomikë rus me qëllim për t’iu shmangur sanksioneve janë regjistruar në vendet e BE-së dhe prej andej vazhdojnë aktivitetin, ndërkohë që origjinën e aksionerëve e kanë në Rusi. Ky fenomen është vërejtur dhe vendon tonë, qoftë në pronarë përfitues të drejtpërdrejtë apo pronarë përfitues të nënkontraktorëve të operatorëve ekonomikë që operojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Për fat të keq kemi moskoordinim mes institucioneve përsa u takon pronarëve përfitues. Të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk përputhen me të dhënat që kanë institucionet e tjera përsa i takon pronarëve përfitues”- thotë Erion Braçe- Kryetar i Komisionit të posaçëm kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit.
Zëri i Amerikës, pyeti dhe QKB për këtë shqetësim. Në përgjigjen me shkrim ky institucion sqaron se vazhdimisht dërgon kontributin e tij pranë Komisionit të dezinforimimit, me të dhëna dhe analiza për pronarët përfitues të vendeve dashakeqëse.
Nga ana tjetër bën me dije se QKB është përgjegjëse për regjistrimin, administrimin apo përpunimin e të dhënave që deklarohen nga subjektet, dhe jo për vertetësinë e tyre, e cila është përgjegjësi e vetë subjektit. Gjithashtu QKB më tej thotë se janë autoritetet kompetente si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Tatimeve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Policia, Prokuroria, apo Prokuroria e Posaçme të cilat, kanë akses elektronik të lirë, në të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.
Në rastet kur konstatojnë se, të dhënat e regjistruara në këtë regjistër nuk përputhen me të dhënat që këto institucione zotërojnë në lidhje me këta pronarë, njoftojnë subjektin si dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit – sqaron QKB.
Nga ana tjetër analistë të zhvllimeve ndërkombëtare tërheqin vëmendjen se ndërhyrjet e huaja keqdashëse, në ekonomi kanë forma të ndryshme.
“Përveç rrjeteve të spiunazhit që veprojnë kudo nëpër Europë, përpiqen të rekrutojnë dhe agjentë të ndryshëm të sipërmarrjeve ekonomike, të institucioneve të ndryshme por dhe elementë të ndryshëm që i konsiderojnë si zëra të fuqishëm opozitarë të cilët bëjnë politikë në favor të Rusisë”- shprehet Petrit Nathanaili, pedagog i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, UT.
Pas agresionit rus në Ukrainë u intensifikuan gjithashtu dhe fushatat dezinformuese. Kjo çështje në Shqipëri paraqet mjaft problematika, sa i takon identifikimit të tyre. Kryetari i komisionit të posaçëm kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të tjera të huaja në proceset demokratike, Erion Brace thotë se aktualisht nuk ka asnjë nen që të adresojë çështjet e dezinformimit brenda territorit të vendit. Dhe kjo duket se e ndërlikon edhe më tej këtë çështje.
“Në çështjet e dezinformimit nuk gjej institucione që të identifikojnë fushatat dezinformuese online apo që të bëjnë analizën dhe ta adresojnë problematikën qoftë dhe duke korigjiuar dhe korrektuar atë informacion që vjen në kuadër të dezinformimit. Për fat të keq jemi zbuluar”- shprehet Zoti Braçe.
Komisioni i posacëm parlamentar kundër dezinformimit në mungesë të hapësirave ligjore mbi dezinformimin po bazohet aktualisht në metodologjinë e komisionit të ngjashëm në Parlamentin Europian.
Ndërkaq në kontesktin e zhvillimeve ndërkombëtare analistët veçojnë për Zërin e Amerikës rrezikun që vjen nga depërtimi i dezinformimit
“Rreziku rus sidomos në një vend si Shqipëria që ka mangësi në konsolidimin dhe efikasitetin e institucioneve mund të krijojë manipulime dhe dezinformime të cilat shkaktojnë një mjedis kaotik që do të pengonin zhvillimin normal të institucioneve”- thotë Dritan Hoti pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.
Pak kohë më parë AKEP, bllokoi 155 faqe ruse në internet dhe 8 iraniane që i përkasin grupit Iranian Homeland Justice, me rekomandim të Komisionit europian. Ky institucion i tha Zërit të Amerikës se është bllokuar gjithashtu edhe portali shtetëror Rus, RT, i njohur me parë emrin Rusia Today si dhe 66 faqe interneti që nuk i përkasin Rusisë apo Iranit, por që lidhen në mënyrë të tërthortë me këto vende. AKEP sqaron se këto bllokime të aksesit u bazuan mbi kërkesat e institucioneve përgjegjëse që vlersojnë përmbajtjen.
Kryetari i komisionit kundër dezinformimit Z. Braçe sqaron se këto faqe ruse bënin propagandë brenda territorit të Shqipërisë, dhe i adresoheshin qytetarëve shqiptarë me akte dezinformimi në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë. Këto forma synojnë konfliktualitet në të gjitha vendet që mbështesin Ukrainën, argumenton ai, ndërsa shton se është konstatuar edhe një fenomen tjetër.
“Ajo që kemi vërejtur është se ka dhe faqe të tjera jo vetëm në internet po edhe në rrjetet sociale që propagandën ruse e adresojnë në gjuhën shqipe dhe që janë të pambyllura ende”- vijon Z. Braçe.
I pyetur nga Zëri i Amerikës se si mund të veprohet në të tilla raste, Autoritieti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare sqaroi në përgjigjen me shkrim “se bllokimet që u kërkohen sipërmarrësve të komunikimeve elektronike (Internet Service Provider-ISP, që ofrojnë shërbim interneti në Republikën e Shqipërisë) të bëjnë nuk shtrihen në mediat apo platformat sociale”.
“Një gjë e tillë është teknikisht e pamundur pasi sipërmarrësit e komunikimeve elektronike mund të bëjnë të mundur mbylljen e domain dhe jo të llogarive të ndryshme”- thotë AKP.
Ashtu si mjaft vende të tjera edhe Shqipëria nuk është imune ndaj sulmeve kibernetike, dezinformacionit apo ndërhyrjeve të tjera keqdashëse në proceset demokratike të vendit. Çështja që shtrojnë eskpertët sot nuk është nëse janë apo jo prezenet këto fenomene, por sa sfiduese dhe kërcënuese janë ato.
Në kushte kur Shqipëria ka mjaft për të bërë në këtë drejtim analistët nxisin marrjen e masave të shpejta ligjore me qëllim parandalimin apo zbutjen e ndikimit të ndërhyrjeve të huaja në vend./VOA/