Erion Veliaj: Beteja e ardhshme me Ilir Metën dhe Sali Berishën

Erion Veliaj vijon të artikulojë se në zgjedhjet e ardhshme lokale për Bashkinë e Tiranës përballë PS-ja do të ketë kundërshtarë, sipas tij jo të fortë, bile të ndyrë.

Veliaj tha se njerëzit nuk kanë asnjë kuriozitet nëse për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë në Tiranë do të kandidojë Ilir Meta apo Sali Berisha, të cilët janë pasqyra e partive që dinë vetëm të shkatërrojnë.

Si drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Veliaj ishte në Njësinë 10, ku zhvilloi një takim organizativ për procesin e zgjedhjes së drejtuesve të rinj vendorë të PS-së.

“Për Partinë Socialiste nuk është progres krahasimi me ata që i kemi mundur disa herë. Madje, sot në Tiranë nuk ka asnjë pikë kurioziteti nëse për kryetar bashkie do të kandidojë Saliu apo Ilir Meta. Për ne kjo nuk ka pikë lidhje. Ata duan të ndihmojnë veten, kurse Partia Socialiste pyet se si do të shkojë një stekë më të lart, si të rrisë cilësinë e qeverisjes. Kundërshtarët tanë zgjedhin parti me kulturën që dinë ta bëjnë mire: hipin nëpër shkallë, thyejnë xhamat, shqyejnë dyert e partisë së tyre. Ata kështu e kanë, por ne dallojmë nga ata. Kontrasti mes asaj që pamë në 8 Janar në selinë e PD, me mënyrën se si i organizon zgjedhjet e veta Partia Socialiste, është si dita me natën. Unë besoj se vetëm kur rrezatojmë këtë lloj kulture, u japim garanci të gjithë atyre që na shohin dhe u themi: kjo është forca politike që mandej do të bëjë edhe gjëra të tjera të bukura për qytetin apo vendin”, tha Veliaj.

Veliaj ftoi të gjithë ata që duan dhe mendojnë se kanë aftësi për t’i dhënë një dorë Partisë Socialiste, që të bëhen pjesë e saj. Turi i drejtuesit politik të PS në Qarkun e Tiranës nisi dje me takimet në Njësinë 2 dhe Rrogozhinën, për të vijuar edhe në ditët në vijim në çdo njësi.

SHKARKO APP