Erion Veliaj: “Mirënjohje për 31 donatorët që i’u bashkuan nismës “‘Adopto 1 çerdhe”

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpërndau sot medaljen e mirënjohjes për 31 biznese dhe individë që kontribuan për rehabilitimin në kohë të rekord të çerdheve që do të presin të vegjlit e qytetit në ditët e para të muajit shtator. Në një ceremoni të organizuar në ambientet e Bashkisë së Tiranës, Veliaj vlerësoi se dhënia e titullit “Mirënjohja e qytetit” nuk mund të jetë vetëm për qokë, por u takon edhe atyre që dhanë ndihmën e vyer për riparimin e çerdheve. “‘Mirënjohja e qytetit’ shkon për të gjithë ata njerëz të cilëve, qytetarët e Tiranës i’u thonë faleminderit, dhe në këtë rast ky titull shkon për ata 31 sipërmarrës, 31 grupe, vullnetarë dhe aktivistë, artistë apo biznesmenë, të cilët meritojnë që sot në emër të qytetarëve të Tiranës, unë dhe gjithë bashkia t’ju thotë: Faleminderit me gjithë zemër për gjithë kontributin e tyre!”, deklaroi Veliaj.

Më poshtë, fjala e mbajtur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në këtë ceremoni

Përpara se të vinte kjo ditë, shumë prej nesh e mendonin si një mision totalisht të pamundur, që ne do të kishim të përfunduar të 31 çerdhet e bashkisë së Tiranës në një periudhë prej 10 ditësh.

Në ditën e parë, kishim një situatë nga më dramatiket që unë kisha parë në Shqipëri. Në çerdhen ku unë jam rritur, në rrugën “Mihal Grameno”, ishte caktuar dita e parë ku unë duhet të inspektoja. Aty pashë sesi në çerdhe, në vendin ku rrinë fëmijët, qytetarët më të rinj të Tiranës, rriteshin kërpudha. Sigurisht, janë qytetarë që nuk votojnë, ndoshta nuk paguajnë taksa, por që zerojnë çdo diskutim që ne bëjmë për të ardhmen e vendit për sa kohë që atyre fizikisht ne u garantojmë minimunim e dinjitetit njerëzor. 

Pasi pashë ditën e parë dhe kërkova të më thuhej se çfarë buxheti kemi, ne që të mund të realizojmë në kohë rekord rehabilitimin e 31 çerdheve, përgjigja ishte: “Buxheti që ne kemi është minus 31 milionë dollarë, me të cilin ne fillojmë punën në Bashkinë e Tiranës.”

Sigurisht, kur dikush dëgjon një lajm të tillë, ka dy mundësi: të ngrejë duart përpjetë edhe të justifikohet, ose të gjejë një mënyrë tjetër alternative për t’i dhënë zgjidhje. Ne preferuam që të mos ishim pjesë e atyre anëtarëve të politikës që për çdo gjë justifikohen se i bllokon dikush tjetër, ose se dikush tjetër u ka shkaktuar një problem. Ne preferuam të bëjmë atë që shqiptarët e kanë bërë ndër vite. Disa njerëz thanë se është e kotë të kërkojmësepse në Shqipëri nuk jep gjë njeri, se ndjenja e filantropisë, e dashamirësisë, e solidaritetit, ka vdekur. Ndërkohë që, nuk mendoj se është kështu. Historia jonë është e mbushur me raste, me shembuj frymëzimi të atyre njerëzve që hoqën diçka nga vetja e tyre për t’ia dhënë komunitetit.

Përpara se të fillonim këtë takim po lexoja historinë e Dhimitër Tutulanit, i cili ka qenë një nga firmëtarët e Pavarësisë dhe në vitin 1925 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Beratit. Ju kujtoj se ishin vitet e para pas Luftës së Parë Botërore, kur as nuk diskutohej që dikush të kishte lënë buxhet në Bashkinë e Beratit. Atëherë, nuk diskutohej të kishte mundësi që në një kohë rekord, në një mandat të shkurtër që Dhimitër Tutulani pati si kryetar bashkie i Beratit, që të mund të rehabilitoheshin të gjithë institucionet arsimore të Beratit.

Megjithatë, në vitin e largët 1925, nuk quhej “Adopto 1 çerdhe”, por në fakt ndodhi i njëjti proces. Në kushtet e një Shqipërie mes dy luftërave botërore, Dhimitër Tutulani u bëri një thirrje bamirësve të qytetit të Beratit, të gjithë tregtarëve, të gjithë patriotëve dhe arriti që në një kohë rekord, me atë ekonomi modeste që kishte Berati në atë kohë, kryetari i Bashkisë së Beratit të sillte në terezi ato pak institucione arsimore, pa asnjë fond nga qeveria qendrore e Shqipërisë në atë kohë.

Anastas Avrami në Korçë, një patriot në fund të viteve 1800, kur sa po hapeshin shkollat e para, të cilat konsideroheshin tabu sepse ishte ende përpara Pavarësisë, ishte një sipërmarrës i cili deklaroi se do të vinte të gjithë pasurinë e vet për shkollat e qytetit të Korçës, për të siguruar që një Shqipëri e pavarur do të ishin djemtë dhe vajzat që do të dinin shkrim dhe këndim, në gjeneratën dhe në administratën e re të Shqipërisë së pavarur.

Mjaftojnë këto dy shembuj, një kryetar bashkie modest i Beratit të 1925-ës, apo edhe të një sipërmarrësi të suksesshëm në Rumani, ku të gjithë pasurinë e vet e transformoi në financim për shkollat e Korçës, për të kuptuar se ajo mrekulli që ndodhi sot dhe gjatë këtyre ditëve me 31 sipërmarrësit dhe kompanitë që u ofruan, në fakt nuk është asgjë më pak ose më shumë se vazhdimësia e një tradite të filantropisë, dhe të atyre sipërmarrësve bujarë që e kuptojnë solidaritetin jo si një qokë, por si stofi që qep kostumin e të qenit shqiptar modern, dhe shqiptar patriot.

Ndaj dhe kur diskutova me kolegët, thash po ne për çfarë i japim titujt në bashki?! Kolegët e protokollit thanë që titujt “Mirënjohja e qytetit” i japim për qoka dhe kur duam t’i bëjmë një qokë ndonjë VIP-i që ka ardhur në Tiranë. Unë vendosa që ta ndryshoj këtë traditë. Unë besoj se “Mirënjohja e qytetit” nuk është qokë për vizitorin e radhës. “Mirënjohja e qytetit” shkon për të gjithë ata njerëz, të cilët qytetarët e Tiranës iu thonë faleminderit dhe në këtë rast ky titull shkon për ata 31 sipërmarrës, 31 grupe, vullnetarë dhe aktivistë, artistë apo biznesmenë, të cilët meritojnë që sot në emër të qytetarëve të Tiranës, unë dhe gjithë bashkia t’ju thotë: “Faleminderit me gjithë zemër për gjithë kontributin e tyre!”

 

 

 

SHKARKO APP