Erion Veliaj ndez dritat e Pemës së Vitit të Ri 2016

 

Tirana këtë fundviti është e pastër, më e gjallë, me ndriçim të mirë dhe plot me njërëz. Erion Veliaj duket se do t'i jap Tiranës një fytyrë të re, krejtësisht europiane. Sapo ka filluar kryebashkiaku Veliaj për një Tiranë që të jetohet si në Europë dhe realisht po e bën. Por duhet kohë për të bërë gjërat e duhura në krejt bashkinë. Ai po ingranon në përfeksion ish-komunat si pjesë integrale e bashkisë, duke zgjuar turizmin në gjithë fshatrat që futen nën drejtimin e tij. Si qytetari Numër Një Erion Veliaj po tërheq qytetarët e Tiranës drejt fshatrave për turizëm, por në këtë mënyrë po shton të ardhurat e banorëve të fshatrave. Ai ka projekte për infrastrukturën, por  në vitin 2016 shpresohet të bëhen realitet, sepse në këto pak muaj kryebashkiaku ka punuar me pasion.

 Ndërsa sonte Bashkia e Tiranës ka ndezur dritat e pemës së Vitit të Ri dhe zbukurimeve të vendosura në rrugët e kryeqytetit. Në një ceremoni të organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar dhe nga fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”  dhanë sinjalin e ndezjes së zbukurimeve duke bërë që rrugët e qytetit të ndriçojnë më shumë se zakonisht. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, kryebashkiaku Veliaj falenderoi stafin e Bashkisë Tiranë dhe ata që kanë punuar gjithë këto ditë, që të sigurohemi që kjo stinë festash të jetë e paharrueshme për qytetin.

“Ne duam ta kthejmë Tiranën në epiqendër të festave për gjithë muajin dhjetor. Ju ftoj të gjithëve që të hymë në një garë, secili të zbukurojë shkollën e vet, klasën e vet, shtëpinë e vet. Ne do të kemi një çmim të veçantë për biznesin, restorantin ose lokalin, që është zbukuruar më bukur”, u shpreh Veliaj. Ai u kërkoi të gjithë qytetarëve që çojnë në adresën e Bashkisë e Tiranës të gjitha fotot e  Krishtlindjeve dhe të festave të fundvitit, pasi do të ketë një konkurs fotografie.

Teksa falënderoi fëmijët që kanë ardhur nga shtëpia e fëmijës ‘Zyber Hallulli’, Veliaj njoftoi se dhjetori do të jetë muaji i solidaritetit. “Do doja t’ju ftoja të gjithëve që në këtë muaj festash, ta kthenim në një muaj të jashtëzakonshëm solidariteti. Muaj solidariteti për ata që janë të moshuar, si dhe për ata që jetojnë në institucionet tona sociale, që kanë nevojë më shumë se kurrë për vizitat tuaja”, deklaroi Veliaj.

Krahas pemës së Krishtlindjeve dhe dritave të vendosura nëpër qytet, kryebashkiaku i Tiranës tha se në sheshin “Nënë Tereza” qytetarët do të gjejnë një hapësirë ku të gjithë mund të dhurojnë për familjet në nevojë. “Në këtë fshat të festave do të kemi një shportë të veçantë për të gjithë ata që duan të dhurojnë lodra ose rroba. Ndoshta një vakt mund ta kaloni në qendrat tona sociale ose me ata të afërm që ndoshta nuk kanë pasur fatin tuaj për të pasur të gjitha të mirat materiale”, tha Veliaj. Sipas tij, këtë muaj është koha për të ndarë, është koha për të qenë bashkë, është koha për të dhuruar shumë dashuri.

Kryebashkiaku kërkoi që në ditën kur qyteti ndez pemën e Vitit të Ri për qytetin e Tiranës, po ashtu çdo banor të ndezi një dritë në zemrën vet, në mendjen e vet, një dritë solidariteti dhe bashkëpunimi. “Kemi kaluar një vit jo të lehtë, kemi pasur shumë debate, por besoj që gjërat bëhen më mirë kur bashkëpunojmë dhe kur kemi harmoni. Ndaj dhe mesazhi i këtij viti është: ‘Kur jemi bashkë ne bëjmë gjëra të mrekullueshme’. Uroj që ky të jetë një vit i mbarë dhe festa të gëzuara për të gjithë!”, përfundoi Veliaj.

SHKARKO APP