Erion Veliaj: Riaktivizuam Bovillën por do të vijnë orë të vështira

 

 

Prej orës 22.00 të së hënës Bovilla është në funksion të plotë, por megjithatë një pjesë e Tiranës do të vuajë mungesën e ujit të pijshëm edhe gjatë ditës së nesërme, për shkak se në mbrëmje priten të nisin reshje të mëdha deri në 80 ml shi, nga 20-25 që është mesatarja në këtë periudhë. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ndërprerja e pjesshme e furnizimit me ujë bëhet për të mos sjellë në çezmat e qytetarëve ujë të ndotur dhe të turbulluar, pasi sistemet e filtrimit në impiantin e Bovillës nuk janë në gjendje pune 100 % për shkak të mos pastrimit të tyre ndër vite.
  
"Ne kemi rikuperuar mbrëmë në orën 22.00 funksionimin e plotë të Bovillës. Unë e kuptoj që ka një shqetësim, megjithatë më është dashur të marr vendime të përgjegjshme. Mund ta kishim çliruar ujin më shpejt, por ishte totalisht i ndotur, jashtë standardeve dhe midis dy vendimeve për të liruar më shpejt Bovillën me ujë të ndotur, preferuam që të pastrohej totalisht filtri dhe vetëm kur uji të ishte i sigurt të futej në rrjet. Kjo është një situatë e pazakontë. Unë jam zgjedhur të marr vendime të përgjegjshme dhe midis vendimit për tu bërë populist dhe për t’iu bashkuar histerisë e për të çuar ujë të ndotur, dhe vendimit për të pasur durim deri sa specialistët të garantonin që uji ishte i sigurt dhe i filtrueshëm, ne zgjodhëm të merrnim një vendim të pjekur dhe morëm atë të fundit. E di që situata do të përkeqësohet sërish sot në darkë, por sidomos nesër, sërish parashikojmë 80 ml shi. I gjithë stafi ynë është në terren", – tha Veliaj.

Nënkryetari i Bashkisë Arbian Mazniku tha se problemet me ujin janë të trashëguara prej shumë kohësh, pasi kanalizimet e ujëmbledhësit nga rrugët nuk janë pastruar prej shumë vitesh.

"Ne kemi nisur një aksion të parë që prej muajit gusht e shtator për të hapur gjithë kanalizimet që mund të hapnim në këtë periudhë, por kjo është një çështje që nuk është e zgjidhshme në një apo dy muaj, do kohën e vet. Disa kanalizime, si ky që kemi pas nesh, nuk është hapur prej më shumë se 4 vitesh, për t’u pastruar në tërësinë e tij. Ne po marrim masa emergjente dhe kemi gjithë skuadrat në rrugë sot, në mënyrë që gjithë ato pika që ne dimë se janë problematike, të bëjmë maksimumin e mundshëm për t’i pastruar, që gjatë reshjeve të ditës së sotme dhe nesër të kemi më pak probleme se ç’patëm dy ditë më parë. Duhet t’u themi qytetarëve atë që është realiteti, që gjatë ditë së nesërme pritet të ketë sërish probleme me ujin dhe me disa rrugë të caktuara, aty ku ka pasur problem", – tha Mazniku.

Reshjet e dendura të shiut përgjatë dy ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah problematikat e kanalizimeve në kryeqytet, ku vetëm gjatë ditës së djeshme punonjësit e bashkisë kanë hequr 50 ton qese dhe shishe plastike nga kanalizimet. 

"U bëj thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë, ndihma më e madhe që mund të japin është të mos hedhin qese dhe shishe plastike nëpër kanalizime. Vetëm dje kemi hequr sërish 50 tonë qese nga kanalizimet e Tiranës. Unë e kuptoj, disa probleme na vijnë nga të tjerët, por nuk na i hedh hasmi qeset dhe shishet e plastikës. Secili duhet të bëjë detyrën e vet, Bashkia duhet të bëjë të vetën, u kërkojmë gjithë qytetarëve që të na ndihmojnë. Bllokimet, siç i bllokohet çdo familje lavamani po të hedhë një qese, ashtu na bllokohen gjithë kanalizimet e Tiranës, ndaj u kërkoj qytetarëve që të kemi edhe pak përgjegjshmëri. Ne infrastrukturën nuk e ndryshojmë dot në 100 ditë, ka vite që ka degjeneruar në këtë situatë, megjithatë sjelljen mund ta ndryshojmë në një ditë dhe secilit qytetar nuk i kërkohet një sakrificë e madhe, mjafton të mos hedhë qese dhe shishe plastike që bllokojnë kanalizimet", – u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Nënkryetari Mazniku tha se do të duhet edhe një vit që fushata e pastrimit të kanalizimeve të rikuperojë kohën e punës që nuk është bërë sipas tij në 4 vite të drejtimit të Bashkisë nga Lulzim Basha.

"Pastrimet mund të minimizojnë një pjesë të madhe, ne kemi nisur prej dy muajsh dhe do vijojmë, por do jetë një proces që do të kërkojë një vit, për të rikuperuar gjithë kohën e punës që nuk është bërë në katër vite. Hapja e gjithë kanaleve dhe pastrimi në tërësinë e tyre mund të rikuperojë një pjesë të madhe të këtij problem, por ky nuk është gjithë problemi. Një pjesë do jetë kryerja e investimeve të mëdha, krijimi i ujësjellësve më të mëdhenj", – tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Qytetari i parë i Tiranës, tha se pavarësisht se gjatë ditës së djeshme një pjesë e mirë e Tiranës nuk pati furnizim me ujë, nuk është ndërprerë në asnjë moment uji në situatat jetike. Vetëm në QSUT – tha Veliaj – bashkia ka vendosur 21 bote që kanë furnizuar, çdo orë ka pasur një furnizim me 10 mijë litra ujë.

Një nga arsyet kryesore që sollën përmbytjet në Tiranë veç blllokimit të kanalizimeve nga qeset plastike e mbeturina të ndryshme, janë edhe ndërtimet mbi kolektorë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se pas zonës së Selitës, kanë nisur të shemben ndërtesa edhe në Laprakë, Don Bosko, njësinë numër 4 dhe veçanërisht në Bregun e Lumit, zonë ku godinat e ngritura mbi kolektorët mbledhës të ujit janë të shumta. Veliaj ju drejtua me apel qytetarëve që të mos ndërtojnë mbi kanalizime pasi të gjitha siç theksoi ai – do të shemben.

"Sot po vijojmë me aksionin, disa prishje të tjera, edhe në zonën e Selitës, Laprakës, Don Bosko, njësia 4, te Bregu i Lumit. Ne jemi duke menaxhuar, e në fakt, kemi evakuuar edhe 63 persona në një zonë të Bashkisë Kamëz. Unë e kuptoj se këtu politizohet gjithçka, por ata që e politizojnë t’i dalin njëherë për zot bashkive të tyre e më pas të na kërkojnë llogari si ne menaxhojmë qytetarët e bashkive të tyre në Tiranë. Megjithatë, vendimmarja ime ka qenë pavarësisht se cila bashki e ka për detyrë, nëse dikush troket në derën e Bashkisë së Tiranës do të gjejë mbështetje. Megjithatë, thirrja për gjithë qytetarët është mos ndërtoni në Breg të Lumit, nuk është një vend i aprovuar për ndërtime, mos ndërtoni mbi kolektorë se ato shtëpi do të prishen, mos ndërtoni mbi kanalizime, se ato bllokime marrin në qafë jetë njerëzish. Siç e keni parë, edhe nga puna e këtyre 100 ditëve, shumë prej prishjeve që bëjmë në sheshet e pallateve janë garazhe në mes të vendeve ku kullojnë kanalizimet, ndaj do jemi me tolerancë zero për të prishur gjithë këto ndërtime pa leje dhe do të vijojmë gjatë gjithë ditës së sotme pastrimet e kanaleve kryesore kulluese. U kërkoj qytetarëve: Ne do të bëjmë maksimumin, 24 orë në ditë, por ju lutem mos hidhni mbeturina vend e pa vend. Çdo qese e shishe është një bllokim që i prish terezinë gjithë Tiranës", u shpreh Erion Veliaj. (shqiptarja.com)

SHKARKO APP