Ermal Meta sonte koncert në sheshin Skënderbej: ”Mezi pres”

”Mezi pres. Ju dua shumë”,-fjalët e para të Ermal Metës për koncertin, i cili do të zhvillohet në sheshin ”Skënderbej”. Këngëtari ka postuar një foto në rrjetin social “Instagram”, ku duket se po udhëton nga Italia për në Shqipëri.

Këngëtari me origjinë nga Fieri, jeton në Itali që në moshën 13-vjeçare dhe tashmë është një nga këngëtarët më me famë dhe të dashur atje. Kujtojmë që Ermali u shpall fitues i “Sanremos” dhe përfaqësoi shtetin italian në ”Eurovizion”, ku u rendit i 5-i me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Edhe pse deri para dy vitesh ai nuk njihej mirë në Shqipëri, Ermali tashmë është imponuar në tregun muzikor në Itali. ”Fillova duke kënduar në disa grupe në qytetin e Barit në Puglia. Me një në veçanti, grupin “La Fame di Camilla”, publikuam tri albume nëpërmjet etiketës diskografike “Universal”. Njëkohësisht kompozoja këngë dhe shkruaja tekste për këngëtarë me famë në Itali”,-ka rrëfyer ai gjatë intervistave me gazetarët.

Jo vetëm me tekstin dhe muzikën e tij, por edhe me përfaqësimin në kauza sociale, Ermali i ka fituar zemrat e publikut shqiptar dhe atij italian. Sot e gjithë Tirana do të jetë në shesh për ta përshëndetur dhe për ta duartrokitur muzikën e tij dhe mesazhet e adhurimit për kantautorin nga fansat nuk mungojnë në rrjetet sociale.

SHKARKO APP