Ervin Salianji dorëzohet në Polici, burgun do ta bëjë në Fier: Beteja ime të frymëzojë qytetarët

Pas qëndrimit në selinë e PD-së deri në orën 17:00, deputeti Ervin Salianji mbërriti në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u dorëzua pas dënimit nga Gjykata e Apelit me 1 vit burg. Salianji deklaroi se betejën e tij për të vërtetën do ta vijojë edhe nga qelia, duke thënë se shpreson që të frymëzojë dhe qytetarët me këtë gjë.

”Jam shprehur që do të përballem kudo dhe me këtë ndërmarrje banditeske për të më hequr lirinë. Shpresoj që beteja ime të frymëzojë qytetarët. Ne jemi më të mirë se ta, ne vendosim sakrificën për të thënë të vërtetën, pasi ajo nuk ka çmim. Nuk kam dashur protestë para drejtorisë së policisë ku po shkoj të vetëdorëzohem. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen”, tha Salianji.

”Rama ik, poshtë diktatura” ishin thirrjet e të pranishmëve, teksa Salianji tha përpara tyre se shumë shpejt edhe dita e demokratëve do të vijë. Pas mbërritjes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Salianji tha se kjo është një betejë që nuk përfundon dhe se do t’i çmontojnë banditët.

“Është një betejë që nuk përfundon. Asnjë sakrificë nuk shkon dëm, në përballje me regjimin secili merr kostot e veta, shumë prej qytetarëve që janë mbledhur këtu, kanë vuajt represionin e qeverisë e vuan në mënyrë të përditshme goditjen që u bën përmes përdorimit të institucioneve, vjedhjes, tatimeve, doganave, policisë, përmes varfërisë, banditëve. Ne do ti çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve dhe qytetarëve do të vijë”, tha Salianji.

Ervin Salianji do ta vuajë dënimin në burgun e Fierit. Salianji u shpall fajtor në Gjykatën e Apelit për kallëzim të rremë dhe u dënua me 1 vit burg. Në burgun e Fierit ka vuajtur dënimin edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Deputetët e Partisë Demokratike i kërkuan të premten Salianjit që të mos e zbatonte vendimin e Gjykatës, por të ngujoheshin në selinë e PD. Por Gazment Bardhi zbuloi se ishte vetë Salianji që vendosi të zbatonte vendimin, edhe pse e konsideron të padrejtë.

SHKARKO APP