Ervin Salianji: Persona me rekorde kri*inale kanë patur akses në sistemin TIMS, kanë fshirë të dhënat
Kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS, deputeti i Rithemelimit, Ervin Salianji ka dhënë detaje pas dëshmive të titullarëve të institucioneve një ditë më parë para komisionit. Ai tha se të dhënat e sistemit TIMS ndodhen online dhe të publikuara në një portal të paligjshëm.
”Pas hakërimit, sistemi TIMS gjendet online, në një web të paligjshëm dhe gjenden të dhënat e qytetarëve aty. Kam kërkuar një mbledhje urgjente me kolegët e komisionit të sigurisë, sepse jemi në kushtet e cenimit të rëndë të sigurisë kombëtare. Ju them me bindje dhe dokumente që janë administruar që në sistemin TIMS ka patur akses të paautorizuar dhe po ashtu ju them që ka patur persona që pavarësisht se fusnin dokumentet në sistem, sistemi për personat në kërkim nuk i nxirrte çka le dyshime të arsyeshme që mund të jenë përdorur nga persona me rekorde kriminale”,-tha në ”News 24”.
Nga ana tjetër, Salianji tha titullarët e institucioneve, përfshirë edhe ish-ministrin e asaj kohe, kanë gënjyer fillimisht lidhur me hakërimin e sistemit.
”Sot del që janë online. Kjo është logjika skandaloze e të gjithë kësaj çështje. Ky shtet që duhet t’i kishte sistemet sensitive të sigurta, i ka në duar të paautorizuara, të pasigurta. Por e dyta që është po aq skandal, persona të caktuar kanë patur akses të paautorizuar në sistem dhe kanë patur mundësinë që të ndërhyjnë”,-tha më tej.