Esat Dushaj: I vrava nga frika se do më vrisnin
Esat Dushaj ka pranuar në polici se i ka vrarë vëllezërit Shkambi në Shkodër pasi njëri prej tyre nuk pranonte t’i jepte vajzën për nuse.
Dushaj, nga fshati Drisht, u arrestua në Tiranë.
Përpara hetuesve, ai tha se i vrau vëllezërit Skënder dhe Abdulla Shkambi nga frika se mund ta vrisnin përpara.
“I kam vrarë sepse kohë më parë unë kam pëlqyer vajzën e Skënderit. I kam dërguar disa herë njerëzit për t’i kërkuar dorën e saj, por më kanë kthyer përgjigje negative. Kam folur në telefon me Skënderin para se të vinte nga Anglia dhe më ka dhënë sërish përgjigje negative. Më pas, edhe kemi shkëmbyer sharje në telefon dhe më ka kërcënuar. Duke pasur frikë se mund të më vrasin, atëherë i kam vrarë unë”.
“Pas vrasjes kam telefonuar një shokun tim dhe i kam thënë vetëm kaq: I vrava! Ai ma ka mbyllur celularin, ndërsa unë e kam fikur celularin dhe kam ikur”.
I pyetur nëse njihej me vajzën, ai thotë: “Personalisht nuk e kam njohur sepse është më e vogël se unë. E kam parë aty në fshat dhe më ka pëlqyer. Edhe ajo e ka kuptuar pëlqimin tim, por nuk kemi pasur mundësi që të bisedojmë ballë për ballë. Megjithatë, e kam gjetur mënyrën për të folur me të, ndonëse në largësi. Kam folur përmes Facebook-ut. Aty kam folur dhe i kam thënë se më pëlqen shumë dhe se e dashuroj”.
Dushaj nuk ka pranuar të sqarojë nëse edhe vajza i ka shprehur dashurinë.
“Vendosa të dorëzohem në mënyrë që policia të mos më vriste. Po ashtu kam ikur në Tiranë se doja garanci për jetën. Vetëm pasi kam marrë këtë siguri nga Policia e Tiranës, atëherë jam vetëdorëzuar”.
KOHA JONË SONDAZH

