”Është më vështirë të dëgjosh të vërtetën se sa gënjeshtrën”, ish-ministri Majko: Kjo rezolutë ka një veçanti

Ish-ministri dhe deputeti i PS-së, Pandeli Majko i ka bërë thirrje kolegëve të tij të opozitës që të votojnë projektrezolutën antikorrupsion të propozuar nga PS. Ai u shpreh se kjo rezolutë ka një veçanti që nuk lidhet vetëm me paragrafët e saj, por me momentet në të cilat ndodhet vendi.

”Rezoluta përfaqëson një vlerësim të kuptimit se qeverisja është e mazhorancës, por jo shteti. Ajo është pohim se shteti shqiptar po hyn në një fazë të re të integrimit në Bashkimin Europian. Ne, përfaqësuesit e politikës, do ta ndjekim këtë proces ose si protagonistë të reformës, ose me statusin e kandidatit për burg! Nuk ftoj askënd të votojë kundër vullnetit të tij, për këtë rezolutë. 

Rezoluta flet për Shqipërinë e vitit 2030! Ajo flet për një Shqipëri që ka zgjedhje dhe votues për të na vlerësuar deri atëherë! Ne socialistët jemi në mandatin e tretë qeverisës. Si rregull duhet të ishim të “lodhur” dhe opozitës duhet ti shkëlqente në publik qëllimi i së ardhmes.

Sot, po të ishte kështu, ju të nderuar përfaqësues të opozitës duhet të ishit protagonistë të kësaj rezolute. Në thelb ajo është interesi juaj, pasi i vendos “zinxhirë konsensusi” interesave politike të qeverisjes, në hapat detyruese të procesit të integrimit europian për vendin. Në historinë e çdo kombi, midis të panjohurës dhe të njohurës ekzistojnë “dyer”. Gjetja e tyre është mision i politikës. Ftesa e rezolutës është pikërisht kjo”, u shpreh ai.

SHKARKO APP