“Është virus dinak, duhet pasur kujdes”, virologu i njohur paralajmëron njerëzit dhe tregon se kur mund të dalë vaksina

Mjeku shqiptar në SHBA, ish-drejtori i Virologjisë në Boston, Rajmond Ikonomi, gjatë një lidhjeje direkte me “News 24” deklaroi se Covid-19 është një virus tepër dinak. Ai tha se në SHBA situata paraqitet e rëndë, por beson se gjendja do të përmirësohet.

“Në SHBA situata është e rëndë. Këtu numri i të infektuarve ka shkuar shumë. Ky ishte një virus i befasishëm dhe kishte përhapje shumë të madhe. Është një armik i padukshëm. Duhet pasur shumë kujdes, pavarësisht nëse ka më pak raste, apo shumë”, tha Ikonomi.

Rajmond Ikonomi vlerësoi se pasojat e tij mund të zgjasin edhe gjatë verës. “Ende nuk mund të thuhet me saktësi se temperatura e dëmton këtë virus. Covid-19 përhapet me një shpejtësi të frikshme. Është e vështirë t’i japësh një formulë të saktë menaxhimi, por bazuar në metodën kryesore, duhet që të kapet vatra e parë sa më parë. Nëse vatra do të bllokohet e do testohet pozitive, të largohet pozitivi dhe gjejmë kontaktet, e vëmë nën kontroll koronavirusin”.

“Një shembull pozitiv dhanë vendet aziatike, ku janë bërë testime, madje edhe ritestime. U izoluan këta njerëz, u izoluan edhe kontaktet dhe situata u menaxhua shumë mirë. Nuk ka trimëri me virusin”.

“Testimi është i rëndësishëm, por varet nga gjendja, si është situata në një rajon të caktuar. Testi bëhet për të larguar njerëzit që janë pozitivë nga qarkullimi. Personat me simptoma duhet të testohen. Testimi masiv i popullatës nuk ka vlerë të madhe praktike. Edhe pesonat që e kanë kaluar mund të infektohen prapë”.

Lidhur me një vaksinë të mundshme, Ikonomi tha se deri tani ka 60 vaksina kandidate dhe po bëhen prova. “Ka sinjale të mira që një vaksinë të dalë. Këtu në Amerikë mund të dalë në vjeshtë. Përgatitja e vaksinës shkon 3 deri 6 muaj. Fillimisht testohet te kafshët dhe shihet nëse vaksina nuk është e rrezikshme. Më pas testohet te njerëzit”.

SHKARKO APP