Eskortat e fshehta të prokurorëve të SPAK

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do godasin korrupsionin në nivele të larta, do të shpërblehen me karrierë të shpejtë, me vlera monetare, shtëpi dhe mbrojtje të veçantë, pa përjashtuar as eskortën.

Por, mbi të gjitha eskortat e prokurorëve të SPAK nuk njihen nga askush. Madje, identitetin e tyre të plotë e di vetëm Garda e Republikës, ndërsa prokurorët, apo struktura të tjera i njohin me kodet.

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, pavarësisht arritjeve në detyrë, gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, bashkë me familjet, por edhe pasi të dalin në pension. Ligji për statusin parashikon që magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cënimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit.

Ndërkaq, një vendim i qeverisë, i miratuar disa ditë më parë, parashikon që në raste të veçanta dhe me kërkesë të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, prokurorit të SPAK i sigurohet mbrojtje për banesën dhe eskortë. Komisione të posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë, kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, si dhe të banesave të tyre.

Ndërkohë, Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të dërgojnë para Gjykatës Speciale zyrtarët e lartë të korruptuar, duke u konfiskuar njëkohësisht edhe pasurinë e pajustifikuar me burime të ligjshme, do të shpërblehen me karrierë të shpejtë dhe vlera monetare.

Kështu parashikon ligji për statusin e magjistratëve si dhe një rregullore e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ngritjen në detyrë të prokurorëve te SPAK-ut. Në një kohë kur përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar përmes 7 mesazheve se pushtetarët e korruptuar dhe bosët e krimit do të japin llogari para SPAK-ut, goditja e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta është kusht kryesor për ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe shpërblimin e prokurorëve të posaçëm.

Neni 16 i ligjit për statusin e magjistratëve parashikon që magjistrati që ka vlerësimin më të lartë etik dhe profesional merr një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë ose rreth 3 mijë USD, brenda një viti. Ndërkaq rregullorja e miratuar nga KLP, e cila shërben si standard, parashikon hetimi i çështjeve të ndërlikuara ligjërisht dhe në fakte është kriteri kryesor për vlerësimin më të lartë profesion.

Sipas rregullores së KLP, ‘çështje e ndërlikuar ligjërisht dhe në fakte’ konsiderohen ato çështje ku subjekt i hetimit është një funksionar i lartë publik, të cilat kanë një numër të madh të pandehurish ose një numër të madh veprash penale, që passjellin pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë e personave ose shkaktojnë dëm të madh ekonomik, të cilat rezultojnë në konfiskimin e aseteve me vlera të mëdha etj.

Gazeta “Shqip”

SHKARKO APP