“EU4Schools”, inaugurohet shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Gjergj Kastrioti” në Bilaj të Krujës

Në kuadër të një vizite dy-ditore në Shqipëri, Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Drejtoresha Rajonale e UNDP-së për Evropën dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, znj. Mirjana Spoljaric Egger, së bashku me partnerët vendas dhe të huaj ka marrë pjesë në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit “Gjergj Kastrioti”, në Bilaj të Krujës.

110 nxënës, 37 fëmijë të kopshtit dhe 13 mësues kanë rinisur tashmë procesin mësimor në shkollën “Gjergj Kastrioti”, e rindërtuar nga e para sipas standardeve më të larta evropiane. Shkolla e re ka nëntë klasa moderne, tre laboratorë, dy grupe kopshti, dhomë mjeku e psikologu, ambiente sportive të brendshme dhe të jashtme, sistem të ftohjes dhe ngrohjes qendrore, një ashensor dhe rampa për t’u shërbyer personave me aftësi të kufizuara etj.

Gjatë kësaj vizite, znj. Spoljaric Egger, duke shprehur kënaqësinë e veçantë që u gjend sot në një atmosfere të gëzueshme me nxënësve e mësuesve, në emër të UNDP nënvizoi njëkohësisht mirënjohjen për bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

“Objektivi ynë i përbashkët bazohet në qasjen themelore të “Rindërtojmë më mirë” dhe të “Rindërtojmë së bashku” pas tërmetit shkatërrues të Nëntorit 2019. Por më e rëndësishmja, ne po investojmë bashkërisht në kapitalin njerëzor të këtij vendi dhe për brezat e së ardhmes. Dhe në këtë drejtim, ne jemi shumë krenarë që po krijojmë mundësi të reja për të realizuar ëndrrat e të rinjve”.

Ndërkohë, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr tha “Nëpërmjet mbështetjes tonë ndaj Shqipërisë pas tërmetit, ne po krijojmë një lidhje të fuqishme mes sigurisë, gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në arsim. Programi “EU4Schools” ndihmon të “Rindërtojmë më mirë” dhe të “Rindërtojmë së bashku”, duke promovuar qëndrueshmërinë nëpërmjet pjesëmarrjes dhe angazhimit të komuniteteve lokale teksa ata formësojnë të ardhmen e tyre”.

Shkolla “Gjergj Kastrioti” është një prej 23 institucioneve arsimore të rindërtuara apo riparuara deri tani në kontekstin e Programit “BE për Shkollat” (“EU4Schools”), një program ky i financuar nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe i zbatuar nga UNDP. 23 objekte arsimore janë rindërtuar ose riparuar deri më tani dhe që i shërbejnë 7,325 fëmijëve/nxënësve dhe 445 mësuesve. Ndërkohë aktualisht, puna vijon me intensitet të lartë në 15 objekte arsimore, të cilat janë në proces rindërtimi apo riparimi.

Programi “BE për Shkollat” mbështetet në dy parime kyçe: “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”. Pjesë e programit janë institucionet arsimore, të cilat u dëmtuan rëndë si pasojë e tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019-të.

SHKARKO APP