“EU4Schools”, në Vorë dy shkolla të reja do presin nxënësit në shtator
Vora është një tjetër bashki në fokusin e programit të BE-së “EU4Schools”, ku po realizohen punimet e fundit në dy shkolla, të cilat do të hapin dyert dhe mjediset bashkohore në vitin e ardhshëm shkollor: shkolla 9-vjeçare “Vorë”, si dhe shkolla 9-vjeçare “Bërxullë”.
Me rindërtimin e tyre, 1,142 nxënës, 70 mësues dhe rreth 32,400 banorë të komuniteteve në total do të gëzojnë mjedise më cilësore e të sigurta, të ndërtuara sipas Eurocode 8; me klasa moderne dhe aksesueshmëri për personat me #aftësi të kufizuara; më miqësore ndaj mjedisit dhe efiçiente ndaj energjisë; si dhe me të njëjtin standard sikurse në shkollat më të mira evropiane.
Këto dy shkolla janë pjesë e Programit “EU4Schools”, financuar nga BE-ja me 75 milion euro dhe zbatuar nga UNDPAlbania, në fokus të të cilit është rindërtimi apo riparimi i 60+ objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues dhe me përfitues të drejtpërdrejtë rreth 24,500 fëmijë, nxënës e mësues.
Ndërsa 25 institucione arsimore kanë përfunduar deri tani në kontekstin e “EU4Schools”, aktualisht vijon procesi i rindërtimit/riparimit në 17 objekte shkollore për të siguruar arsim cilësor për brezin e ri të Shqipërisë.