Eugena Tomini: Epidemia e COVID 19 e butë në Shqipëri, por s’mund të themi që e fituam luftën. Ja deri kur do jetë mes nesh!
Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini në një lidhje me Skype me News 24 foli për situatën e COVID 19 në vend.
“Sipas parshikimeve të llogaritura java e 4 ose e 5 përkonte me pikun e virusit. Jemi në situatë të rrafshtë me një intensitet ritmik dhe të qëndrueshëm. Kjo situatë e gjeti përballjen e shëndetësisë nga 83 pacientë që patëm në mars sot flasim për 43 pacientë në total. Shpresojmë të kemi edhe në javët në vijim trendin aktual…Kemi marrë shembull nga gabimet e shteteve të tjera morëm masa në kohë”,- tha ajo.
Tomini tha se epidemia e COVID 19 ka qënë e butë në Shqipëri por nuk duhet thënë se lufta mbaroi me kaq.
“Duhet të kuptojmë se edhe popullata ka ndryshime genetike nga një zonë në një zonë tjetër. Virusi nga dhjetori deri në prill e ka humbur dalngadalë agresivitetin. Krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit, të mos harrojmë se disa vende e kanë epideminë në ditën e 50 disa në të 30, pra dalëngadalë virusi po e humbet agresivitetin. Është herët të gjykojmë që jemi fitimtarë ndaj kësaj lufte, ne japim rekomandim për lehtësim apo shtrëngim të masave, sic edhe ka ndodhur por nëse nuk zbatohen të gjitha rregullat do kemi kthim pas”,- tha Tomini.
Por kur do t’i kthehen shqiptarët jetës normale? “Parashikimet ndoshta flasin se nga fundi i majit mund të ketë lirshmëri në një shkallë më të gjërë. Por duhet të dimë se nëse një vaksinë nuk gjendet, pra deri kur të kemi një mjet për parandalimin e tij COVID 19 do vijojë të jetë present mes nesh”.