Eurobondi i ri i Shqipërisë, Ministria e Financave hap tenderin për konsulentin!
Ministria e Financave dhe Ekonomisë është në kërkim të konsulentëve ligjorë për Eurobondin. Tenderi është shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik, me një fond limit 23.9 milionë lekë.
Që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues, kohëzgjatja e kësaj konsulence do të jetë deri më 31 dhjetor 2020.
Megjithatë, në specifikimet e tenderit, Ministria e Financave nuk e përjashton shtyrjen e afatit. Kjo pasi kohëzgjatja e procesit të emetimit të Eurobondit është në varësi të kushteve të tregut.
Për historik, Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010. Asokohe interesi ishte afro 9% dhe më pas në tregtim, për shkak të përkeqësimit financiar dhe fiskal të Shqipërisë në 2011-2012, shkoi në nivele 11-12%.
Ne vitin 2015 u shënua dalja e dytë me 450 milionë euro, me afat maturimi 5-vjeçar, në nëntor 2020, e me një normë interesi 5.75%.
Eurobondi i tretë i Shqipërisë u përmbyll me sukses në dhjetor të vitit 2018. Sipas të dhënave të Reuters, ofertat kanë qenë mjaft të larta dhe kanë kapur vlerën e rreth 1.25 miliardë euro, edhe pse kërkesa nga qeveria shqiptare ka qenë për 500 milionë euro.
Eurobondi i tretë ishte në fakt një “fitore” për vendin, pasi yieldi përfundimtar ishte 3.55%, shumë më i ulët se interesi i paguar prej 5.75%, i paguar për Eurobondin e dytë 450 milionë eurosh.
Huaja në tregjet ndërkombëtare është në fakt, një test i mirëfilltë i qëndrueshmërisë ekonomike për shtetet, pasi vlerëson besimin që emetuesi gëzon në tregje.
/ SCAN