Europa në kaos nga fitorja e të djathtës ekstreme/ Le Pen në Francë: Jemi të gatshëm të marrim Pushtetin!

Presidenti francez Emanuel Macron vendosi shpërndarjen e parlamentit të Francës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në vend pasi partia e tij pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Në një fjalim drejtuar kombit nga pallati presidencial Elysee, presidenti Macron tha se “kam vendosur t’ua kthej zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare përmes votimit. Prandaj po shpërndaj Asamblenë Kombëtare”.

Votimet do të zhvillohen në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, tha ai.

Vendimi pasoi rezultatet e para të zgjedhjeve të së dielës për Parlamentin Evropian, që flasin për një përparësi të partisë së ekstremit të djathtë, e cila mposhti pro evropianët e presidentit Macron, sipas anketave franceze.

Udhëheqësja e së djathtës së skajshme, Marine Le Pen, mirëpriti vendimin e presidentit Macron.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pushtetin nëse populli francez na jep besimin në zgjedhjet e ardhshme legjislative. Jemi të gatshëm ta ngremë vendin përsëri në këmbë. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat e popullit francez, jemi të gatshëm t’i japim fund emigracionit masiv Ne jemi të gatshëm ta bëjmë përparësi fuqinë blerëse të popullit francez, jemi gati të fillojmë ri-industrializimin e vendit”, tha zonja Le Pen, lista e së cilës, sipas projeksioneve të para, fitoi rreth 32 për qind të votave, më shumë se dyfishi i listës së presidentit Macron, që fitoi 15 për qind të votave.

Partitë qeverisëse jopopullore të Gjermanisë dolën me rezultate të dobëta, ndërsa Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë shënoi rritje ne votimet e së dielës për Parlamentin Evropian. Opozita konservatore kryesore doli ndërkaq forca politike kryesore, sipas anketave të para.

Projeksionet treguan se socialdemokratët e qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz fituan rreth 15 për qind të votave, duke u radhitur pas Alternativës për Gjermaninë, (AfD) të ekstremit të djathtë që fitoi pak më shumë se 16 për qind të votave.

Anketat treguan se të Gjelbrit, partia e dytë më e madhe në koalicionin e kancelarit Scholz, fitoi 12 për qind të votave, ndryshe 20.5 për qind sa kishte fituar pesë vjet më parë. Mbështetja për Demokratët e Lirë pro biznesit, partia e tretë në qeverinë aktuale doli me 5 për qind.

Blloku Kristian-Demokrat i qendrës së djathtë i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbizotëroi anketat në vendin më të populluar të bllokut me pothuajse 30 për qind të votave.

Sipas anketave grupi konservator i kryeministres italiane Giorgia Meloni fitoi shumicën e votave, duke konfirmuar statusin e saj si partia më popullore në Itali.

Ndërkohë në Austri, Partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë, duket të etë fituese me mbi 25 për qind të votave.

Në Holandë, partia nacionaliste dhe kundër migrimit e zotit Geert Wilders, pritet të fitojë shtatë prej 29 vendeve që i takojnë këtij vendi në Parlamentin Evropian.

Ligjvënësit e Parlamentit Evropian prej 720 vendesh ushtrojnë ndikim në çështjet që nga rregullat financiare te politikat klimatike dhe bujqësore. Ata miratojnë buxhetin e BE-së, i cili financon mes tjerash projektet e infrastrukturës, subvencionet e fermave dhe ndihmën për Ukrainën. Ata ushtrojnë të drejtën e vetos për emërimin e komisionit të fuqishëm të BE-së.

Këto zgjedhje mbahen në një kohë sprove për besimin e votuesve në bllokun prej rreth 450 milionë banorësh. Gjatë pesë viteve të fundit, BE-ja është tronditur nga pandemia e koronavirusit, rënia ekonomike dhe një krizë energjetike e nxitur nga konflikti më i madh tokësor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por fushata politike shpesh përqendrohet në çështjet e brendshme të vendeve anëtare dhe jo në interesat më të gjera evropiane./VOA/

SHKARKO APP