“Europianë të dorës së dytë”: Çfarë ofron Macron dhe si do e “shesë” Rama

Një raportim i Deutsche Welle bëri bujë një ditë më parë. Sipas saj, Franca, dhe deri diku edhe Gjermania, mund të propozojnë për vendet e rajonit atë që njihet si modeli norvegjez, që nënkupton pranim në tregun e përbashkët, pa u bërë pjesë e BE-së.

Franca ka insistuar se nuk ka një plan të tillë, por në mediat ndërkombëtare ka një vërshim komentesh e analizash ku thuhet se ky projekt mund të marrë jetë në pranverën e vitit që vjen.

Financial Times shkruante një ditë më parë se presidenti francez, Emmanuel Macron duhet të qartësojë nëse e ka ‘vrarë’ projektin e zgjerimit.

Sipas gazetës së njohur, ofrimi i opsioneve alternative për Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me modelin norvegjez, do krijonte ‘europianë të dorës së dytë’.

Ashtu siç thekson edhe Deutsche Welle, problemi është se si mund ta shesin stabilokratët e Ballkanit si Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç një projekt të tillë.

Analisti Florian Bieber, njohës i mirë i rajonit, shkruan në Politico se Macron ka të drejtë kur thotë se procesi i zgjerimit është prishur.

“Për BE-në, ky mund të jetë momenti që të përqendrohet përfundimisht në zhvillimin e mjeteve më të mira për t’u marrë me autokratët në rajon, të cilët kanë pak stimuj për të hequr dorë nga kontrolli joformal i institucioneve kombëtare. Komisioni e identifikoi si një problem vitin e kaluar, por ka qenë shumë i ndrojtur në përpjekjen për t’u marrë me të, duke zgjedhur në vend të kësaj që ta bëjë procesin e zgjerimit më kompleks dhe më të rëndë”, shkruan ai.

Pra, çfarëdo propozimi të vijë për rajonin, qëllim primar do jetë lufta ndaj autokratëve.

Por propozimi i Bundestagut gjerman për plotësimin e nëntë kushteve dhe vazhdimin e rrugës europiane deri në pranim të plotë në BE është rruga më e mirë. Të paktën ka dritë në fund të tunelit.

SHKARKO APP