EUROPOL aksion në mbarë Evropën kundër trafikut të armëve, drogës e emigracionit! Pjesë e tij dhe Shqipëria e Kosovës
Aksion i madh i EUROPOL-it në të gjithë Europën kundër trafikut të armëve e drogës, mbi 500 të arrestuar, pjesë e operacionit edhe Shqipëria e Kosova. Një operacion i përbashkët kundër trafikut të armëve, trafikut të drogës, emigrantëve apo dhe trafikimit të qënieve njerëzore dhe rrjeteve kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore është ndërmarrë në të gjithë Europën dhe jo vetëm.
Operacioni u ndërmor në kuadër të “Ditëve të Veprimit të Përbashkët EMPACT në Evropën Juglindore (EMPACT JAD SEE) dhe u mbështet nga Europol, Eurojust, Frontex, INTERPOL si dhe një sërë strukturash ndërkombëtare. Operacioni u ndërmor në 26 vende në të gjithë Evropën midis 13 dhe 18 nëntorit të këtij viti dhe përfshiu edhe kontrollet e intensifikuara në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe operacione speciale në vendet e përfshira, njofton Europoli. Spanja koordinoi aktivitetet operacionale, ndërsa EUROPOL-i koordinoi shkëmbimin e informacionit operacional ndërmjet palëve të përfshira.
Më shumë se 22 mijë oficerë u angazhuan në operacion. Operacioni u koordinua nga një qendre ndërkombëtare e krijuar në Shkup, Maqedoni të Veriut, ku oficerët që përfaqësonin këto autoritete ishin të pranishëm për të lehtësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për t’iu përgjigjur nevojave operacionale në terren.
EUROPOL-i gjithashtu vendosi ekspertë në terren për të ofruar mbështetje analitike në kohë reale për operativët në terren. Holanda vendosi dy ekipe me pajisje speciale skanimi në pikat e kalimit kufitar në Greqi dhe Mal të Zi. Frontex dërgoi ekspertë dhe pajisje në kufijtë e jashtëm.