Europol dhe Siguria Publike: Nënshkruhet marrëveshja Shqipëri-Francë
Me qëllim rritjen e bashkëpunimit policor dhe atij balistik, Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe ambasadorja e Francës në Tiranë, kanë nënshkruar marrëveshjen “Në lidhje me forcimin e bashkëpunimit policor në fushën balistike”, e cila synon të jetë një instrument më tepër sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, përdorimit të armëve të vogla e të lehta si dhe identifikimin e autorëve të mundshëm pavarësisht vendit ku kryejnë veprën penale.
Marrëveshja parashikon që shërbimet kompetente balistike të të dy vendeve, të shqyrtojnë mënyrat e vendosjes në rrjet të skedarëve të tyre kombëtar të identifikimit balistik, njëherësh duke zbatuar procedura që garantojnë besueshmërinë dhe cilësinë e të dhënave të shkëmbyera. EUROPOL do të jetë e ftuar gjithashtu të ndjekë punimet franko-shqiptare, në kuadër të projektit të krijimit të një Hub-i balistik, brenda saj, thuhet gjithashtu në një nga pikat e marrëveshjes së nënshkruara.