Europol shkatërron kartelin e kokainës, prokurori italian: Shqiptarët kanë aftësi, ja çfarë i dallon

“Kompania Bello”, të cilin Europol e quan si një ndër rrjetet më aktive të trafikut të kokainës në Europë, tashmë është i shkatërruar dhe kjo pas 5 viteve hetime. Rrjeti shqipfolës kontrollonte gjithë zinxhirin, nga organizimi i dërgesave të mëdha nga Amerika Veriut e deri tek shpërndarja në Europë.

Operacioni i koduar “Los Blancos”, i kryer më 15 shtator përfshiu bashkëpunimin e policisë së 10 shteteve dhe solli arrestimin e të paktën 20 personave, mes së cilëve pesë shqiptarë.

Prokurori kombëtar i antimafias, Federico Cafiero De Raho, ka vënë në pah rolin e madh që, sipas tij, luajnë trafikantët shqiptarë të drogës. Në një konferencë për mediat në Firence, të mbajtur pas shkatërrimit të kartelit shqiptar të drogës, i kryesuar nga Eldi Dizdari, De Raho u shpreh se kriminelët shqiptarë kanë shfaqur aftësi të mëdha për të drejtuar organizata të mëdha të trafikut të drogës, kjo për shkak të marrëdhënieve të mira që kanë me grupet e Amerikës Latinë.

”Ndonjëherë mendojmë se organizatat kriminale shqiptare janë të nivelit të dytë. Operacioni Los Blancos demonstron se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha, që vijnë për t’u marrë vetë me kartelet e trafikut të drogës në Amerikën Latine, duke mbajtur marrëdhënie të qëndrueshme me ta”,- thotë De Raho.

SHKARKO APP