Europol shkatërron kartelin shqiptar të kokainës, Lleshaj: Ndërkombëtarët na besojnë
Sukses të rëndësishëm, e quan ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, operacionin për shkatërrimin e kartelit më të madh shqiptar të drogës. Sipas tij, kjo është provë që të huajt kanë besim tek policia shqiptare në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare.
Postimi i plotë
Finalizimi i suksesshëm sot i Operacionit ‘LOS BLANCOS’ në 10 vende nën koordinimin e EUROPOL, në të cilin mori pjesë aktive edhe Policia e Shtetit, është një tjetër sukses i rëndësishëm, që provon edhe një herë pjekurinë dhe besueshmërinë e lartë të saj në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare.
Shkatërrimi i një grupi shumë të sofistikuar kriminal të përbërë kryesisht nga shqipfolës dhe kapja e një sasie të madhe kokaine dhe parash është një goditje e paprecedentë ndaj krimit të organizuar.
Meritojnë mirënjohje të gjitha agjencitë e vendeve që u angazhuan në këtë operacion si Italia Holanda, Greqia, Hungaria, Rumania, Gjermania, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Dubai dhe pa dyshim edhe Policia e Shtetit Shqiptar.
Ky operacion dëshmon edhe një herë nevojën e madhe por dhe dobinë e jashtëzakonshme që ka bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën ndaj krimit të organizuar, i cili mund të luftohet me sukses real vetëm kur agjencitë e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë ngushtë në nivel operacional. Si sot.