Eurosong 2018, Bushpepa me grupin niset drejt Lisbonës (VIDEO)
Drejt Lisbonës me pritshmëritë më të larta, niset sot Delegacioni që përfaqëson Shqipërinë në ESC2018, për të zhvilluar periudhën paraprake të provave në skenë, në kuadër të përgatitjes për natën finale të Eurovision Song Contest 2018. Pas mbërritjes dhe akomodimit, ditën e diel në orën 12:20 këngëtari Eugent Bushpepa do të zhvillojë provën e parë.
Delegacioni i përbërë nga:
Eugent Bushpepa-këngëtari përfaqësues
Erinda Agolli-backvokal
Greta Radovani-backvocal
Denis Hima-bateri
Gerti Hima-bateri
Besnik Nikolli-bass
Kleart Duraj-kryetar i delegacionit shqiptar
Sokol Marsi-producent muzikor
Imazhi në skenë këtë vit kurohet nga stilistja Enada Atnikolla
Në axhendë janë përcaktuar dy prova individuale për secilin shtet, dhe tri prova të lidhura të shfaqjes gjysmëfinale të secilit shtet përfaqësues. Çdo provë në përfundim të saj do të pasohet nga një konferencë për shtyp e delegacionit, për mediat e akredituara në Eurosong 2018.
Për këngëtarin tonë përfaqësues, rëndësi të veçantë paraqet prova gjenerale e datës 07 Maj, pra një ditë para konkurrimit, pasi në këtë provë bëhet votimi nga juritë profesioniste të secilit vend, votim i cili, duke i bashkëngjitur edhe votat e publikut në mbrëmjen e transmetimit live, përcaktojnë kalimin ose jo në finalen e madhe të datës 12 maj.
ESC2018 pasditen e datës 6 Maj do te zhvillojë ceremoninë zyrtare të hapjes së festivalit, e cila këtë vit do të quhet Blu Carpet e frymëzuar nga tema e oqeaneve.
Kujtojmë se Shqipëria konkurron në gjysmëfinalen e parë, të martën më 08 maj dhe këndon e treta në renditje. Në gjysmëfinalen e parë konkurrojnë 19 shtete dhe vetëm 5 prej tyre do të këndojnë këngën në gjuhën e vendit të vet, midis të cilave edhe Shqipëria.