Eurostat: Shqipëria e treta në Europë për rritjen e fluturimeve në 2021
Aeroporti ‘Nënë Tereza’ ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve në 2021, duke rikuperuar me shpejtësi pas pandemisë.
Tregu i fluturimeve në vend rezulton të jetë rritur me 123% për periudhën 2020-2021, sipas INSTAT, duke tejkaluar edhe mesataren e Bashkimit Europian që ishte 35%, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.
Shqipëria rezulton e treta në Europë, pas Malit të Zi (151%) dhe Kroacisë (129%) për rikuperimin pozitiv në tregun e fluturimeve, duke lënë pas vende si Spanja, Italia, Austria, Zvicra, për të njëjtën periudhë si më sipër.
Në terma absolutë, 2.9 milion shqiptarë zgjodhën fluturimet nëpërmjet ajrit gjatë 2021-it.
Heqja e kufizimeve, masat më të lehta krahasuar me shtetet e tjera të Europës, futja e linjave low-cost kanë bërë që tregu i fluturimeve në vend të marrë veten shpejt, por gjithësi në 2021-n numri i fluturimeve ishte 12% më i ulët se para pandemisë, në 2019-n.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se tregu është rikuperuar me shpejtësi në 2022-n, me numrin e personave që kanë fluturuar që vetëm për 10 mujorin ka arritur në 4.4 milionë pasagjerë, me rritje 82% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s dhe 66% në krahasim me 2019-n, periudhën para pandemisë.
Sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, EUROSTAT fenomeni i rritjes në 2021-n, është ndjerë edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Aeroporti i Greqisë ka njohur rritje me 86% të numrit të pasagjerëve krahasuar me 2021-in, aeroporti i Maqedonisë së Veriut me 79% të numrit të pasagjerëve, aeroporti i Serbisë rritje me 77% të numrit të pasagjerëve gjithsej.
Sipas EUROSTAT, numri i pasagjerëve që fluturuan nëpërmjet ajrit në Bashkimin Europian në 2021 arriti në 373 milionë.
Listën e kryeson Spanja me 91 milion pasagjerë nga të gjitha linjat ajrore, e ndjekur nga Gjermania me 73 milion pasagjerë dhe Franca me 66 milion pasagjerë gjithsej.
Ecuria pozitive erdhi sidomos pas 2019, kur numrit i pasagjerëve u reduktuan me 73% gjatë pandemisë.
Vendet e BE me përjashtim të Finlandës (që shënoi rënie me 16%), regjistruan rritje të numrit të pasagjerëve që udhëtonin me avion në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020. Këto rritje varionin mes shteteve anëtare, nga 10% në Irlandë, 16% në Suedi dhe 17% në Letoni në 86% në Greqi, 105% në Qipro dhe 129% në Kroaci.
Transporti i pasagjerëve jashtë vendeve të Bashkimit Europian zuri 39% të totalit të transportit ajror të pasagjerëve gjatë 2021.
Nga ana tjetër, transporti ajror brenda BE-së zuri 38% dhe transporti kombëtar përfaqësonte 23%.
Krahasuar me vitin 2020, pesha e transportit jashtë vendeve BE-së u ul me 5,5 pikë përqindjeje, ndërsa transporti brenda BE-së u rrit me 4,5 pikë përqindje; transporti kombëtar u rrit me 1 pikë përqindje.
Aeroportet më të mëdha në numër pasagjerësh për 2021
Pesë aeroportet me numrin më të lartë të pasagjerëve në 2021 mbeten ai i Parisit, Charles de Gaulle me 26.2 milionë pasagjerë, aeroporti i Amsterdamit, Schiphol me 25.5 milionë, aeroporti i Frankfurtit Main me 24.8 milionë, aeroporti i Madridit, Barajas me 23.2 milionë dhe aeroporti i Barcelonës, El Prat me 18.5 milionë pasagjerë.
Në 10-shen e parë gjenden dhe aeroporti i Palma de Mallorca me 14.5 milionë pasagjerë, i cili ka regjistruar rritjen më të madhe në listë me 137% krahasuar me vitin 2020, e ndjekur nga Paris-Orly në Francë me 46% dhe Athinai/Eleftherios Venizelos në Greqi 52%.
Nga krahu tjetër, rënie me tre vende ka shënuar aeroporti i Mynihut me 12.5 milionë duke qenë aeroporti që pa rritjen më të vogël të numrit të pasagjerëve në 2021 krahasuar me 2020. Monitor