Eva dhe Endri të bllokuar në kampin Al-Hawl në Siri, daja letër Ramës: Situata është përkeqësuar
Drama në kampin Al-Hawl në Siri është e madhe. Fëmijë të vetmuar, grupe familjesh pa baba, pluhur, tym dhe shumë trishtim. Janë me mijëra në këtë kamp, i cili më shumë është një burg gjigant ku familjarët e ushtarëve të ISIS të kapur rob, janë të izoluar dhe të detyruar të jetojnë në çadra. Në këtë burg ka shumë shqiptarë dhe historitë e tyrë janë të njohura, siç është ajo e fëmijëve Dumani.
Një prej familjarëve të dy fëmijëve Eva dhe Endrit Dumanit, të cilët janë të bllokuar në kampin Al Hawl në Siri, i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama. Kërkesa është bërë pak ditë më parë nga Mide dhe Xhetan Ndergjoni, daja i fëmijëve për të marrë një zgjidhje dhe për të nxjerrë njëherë e përgjithmonë nga kampi. Në shkresën drejtuar kryeministrit janë dhe mesazhet që Eva Dumani i ka dërguar dajës së saj, ku e mitura shkruan se situata në kamp është përkeqësuar dhe se nuk e di nëse do ketë mundësi të komunikojë sërish, por i siguroi se ajo dhe vëllai Endriti janë shëndoshë e mirë.
”Më duhet t’u kërkoj ndjesë në emër të familjes time atërore Ndregjoni për këtë dhimbje të madhe që ish-bashkëshorti im shkaktoi. Ai rrëmbeu dy fëmijët tanë përkatësisht Eva dhe Endri Dumani përkatësisht në atë kohë 8 dhe 5 vjeç dhe i çoi ata në Siri! Shumë pak muaj mbas mbërritjes atje ai humbi jetën dhe fëmijët e mi Eva dhe Endri kanë përjetuar një kalvar të mundimshëm vuajtjesh dhe stërmundimesh, të marrë peng në një vend ku vdekja u kërcënohej çdo ditë. Sot ata gjenden në kampin “Al Hawl” në Siri i cili kontrollohet nga Forcat Ushtarake Kurde. Besomë nuk kishte dhimbje më të madhe për mua, nuk kishte më as ajër por vetëm shpresa se ata një ditë do kenë nevojë për mua më ka mbajtur gjallë! Çfarë dhimbje kam përjetuar! Çfarë tragjedie! Kur humb fëmijët, humb të ardhmen. Zoti Kryeministër! Eva sot është një vajzë 13-vjeçe dhe Endri sot është 11-vjeç! Më zhbëri dhimbja më beso! Tani jam gur dhe bëj çfarë bën guri në përditshmërinë e tij! Zoti Kryeministër! Ju lutem mundësoni dhe përshpejtoni sa më shpejt kthimin e tyre të sigurt, me rrugë zyrtare, unë nëna e tyre të lutem me dhimbje nëne! Endri dhe Eva kërkojnë çdo ditë orën e kthimit! Kemi nevojë për ndihmën tuaj, që ata fëmijë shqiptarë të kthehen këtu për t’u riatdhesuar dhe rehabilituar si shtetas shqiptarë”,- shkruajnë familjarët e fëmijëve të mbetur në Siri.
Përfaqësues nga Kryeministria i kanë kthyer përgjigje Xhetan Ndregjonit duke thënë se çështja është marrë në shqyrtim prej tyre “Jemi marrë me çështjen e këtyre njerëzve dhe nuk e kemi në dore ne! Është shumë e ngatërruar me shtetet e tjera”. Eva dhe Endri Dumani, dy prej 80 fëmijëve dhe grave të mbetur në kamp, nuk e kanë më atë që e cilësonin si engjëllin mbrojtës. Gjyshja e tyre Mendije Dumani që kujdesej për ta, ndërroi jetë pak ditë më parë, duke i lënë motër e vëlla, tashmë në vetmi të plotë për tu përballur të vetëm me vështirësitë në atë kamp. Eva është ajo e cila sa herë mundet të gjej një telefon celular dërgon mesazhe zanorë dhe tekste nënës dhe dajës, ku kërkon të dijë se çfarë është duke bërë shteti shqiptarë për ti riatdhesuar. “Çfarë thuhet për ne atje në Shqipëri? A do të na marrin apo shteti s’ka reaguar fare?”,- thotë vajza.