Falen të gjitha gjobat e vendosura gjatë karantinës
Këshilli i Ministrave ka vendosur që të falë të gjitha gjobat e vendosura për shkeljen e rregullave apo të akteve ligjore e nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga Covid-19, deri më 7 tetor. Nga ana tjetër është marrë vendimi që të gjithë ata persona që i kanë paguar këto gjoba t’u rikthehen paratë, të cilët do t’u kalohen në llogari bankare.
Vendimi
Të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë ushtruar autoritetin e vendosjes së masës administrative me gjobë, duhet të përgatisin listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 tetor 2020.
Në rastin e gjobave të vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 2, të nenit 1, të këtij akti, të gjitha strukturat përkatëse duhet të dërgojnë listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative. Mënyra dhe rregullat e hollësishme për zbatimin e faljes dhe kthimin e shumave të paguara, sipas përcaktimeve të këtij akti normativ, përcaktohen nga këshilli bashkiak.
Të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, përjashtuar ato të parashikuara në nenin 2, të këtij akti normativ, si lejet/licensat dhe mjetet e bllokuara, duhet të kthehen brenda datës 15 nëntor 2020 te subjekti përfitues. Ngarkohen titullarët e secilit prej institucioneve shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, që kanë vendosur masa administrative sipas këtij neni, të nxjerrin udhëzimet përkatëse për përcaktimin e mënyrës së kthimit të detyrimit të falur.