Falsifikonin dokumenta, Policia arreston 8 persona në Gjirokastër
Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “No chance”. Policia e Shtetit njofton se, ka vënë në pranga 8 shtetas, pjesë të grupit kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Sipas Policisë, është gjetur dhe është sekuestruar një laborator që shërbente për falsifikimin e dokumenteve, një shumë e konsiderueshme parash, automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e veprimtarisë kriminale. Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë arrestuar në flagrancë edhe 2 shtetas iranianë.
Policia njofton se, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: H., 32 vjeç, banues në Tepelenë; D., 40 vjeç, banues në Fier; P., 56 vjeç, banues në Konispol; H., 40 vjeç, banues në Tepelenë; Sh., 56 vjeç, banues në Gjirokastër; S., 54 vjeç, banues në Gjirokastër; J. Ç., 51 vjeçe, banuese në Gjirokastër; T., 52 vjeç, banues në Gjirokastër.
Këta shtetas dyshohet se gjatë viteve 2023 dhe 2024, kanë kryer veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të falsifikimit të dokumenteve, kundrejt fitimit. Policia e Shtetit bën të ditur se, po vijon me veprimet procedurale.