Falsifikonin dokumente për në Angli, zbardhet skema e banës shqiptare
Pas një hetimi disamujor, Policia dhe Prokuroria e Fierit, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, finalizuan operacionin “Pagesa e fundit”, për goditjet e grupit në fushën e falsifikimit dhe favorizimit të emigracionit të paligjshëm
Në përfundim të operacionit, i cili u krye në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Korçë, Vlorë e Berat, si rezultat i masave të shpejta operacionale policore e proceduriale të kryer nga strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë i mundur arrestimi i tetë personave, ndërsa gjashtë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Përveç tyre, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.
Bëhet fjalë për një 41-vjeçar nga Fieri dhe një 65-vjeçar nga Korça. Hetimet për këtë grup kishin nisur që prej vitit 2017 për veprat penale të “Falsifikimit te dokumenteve”, “Falsifikimi i monedhave” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.
Në bazë të hetimeve ka rezultuar se, S.P., Jetnor Hoxhaj, Eris Koliçi, A.H., Xhevair Myrtaj, Artan Haxhiu dhe A.N., të gjithë banues në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej vitit 2017, ushtronin aktivitetin kriminal në fushën e falsifikimit të monedhave, falsifikimit të dokumenteve shkollorë, dokumenteve të gjendjes civile, të pasaportave, dokumenteve të emigrimit dhe të qëndrimit në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, Kanada, Mbretëri e Bashkuar, Irlandë etj.
Këta persona merrnin porosi për pajisjen me dokumente të falsifikuara, personave të ndryshëm me banim në Fier, Lushnjë, Mallakastër, Berat, Korçë, Vlorë, kundrejt pagesave që varionin nga 600 Euro deri 12,000 Paund.
Porositë merreshin për të nxjerrë dokumente shkollore, pasaporta, leje qëndrimi, leje drejtimi, qarkullim të monedhave të falsifikuara, dokumente të falsifikuara për në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Sipas Policisë, S.P. dhe Jetnor Hoxhaj, pasi i merrnin këto porosi, nëpërmjet Eris Koliçit dhe A.H., i dërgonin me automjete të ndryshme të transportit të udhëtarëve si furgona, taksi, autobusë për në Tiranë te Artan Hasani, i cili merrej me prodhimin e tyre.
Dy-tri ditë pasi prodhoheshin këto dokumente në Tiranë, Artan Hasani i niste në të njëjtën rrugë për në Fier, ku dilnin dhe i prisnin Eris Koliçi dhe A.H., të cilët sipas porosive të S.P. dhe Jetnor Hoxhajt ua shpërndanin personave që kishin porositur.
Ndaj të arrestuarve, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, në datën 10 mars 2018 ka dhënë masën e sigurimit “Arrest me burg” dhe “Detyrim paraqitje”, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” , “Falsifikimi i monedhave” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.
Për këta persona ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Arrestimet
– Jetnor Hoxhaj, 42 vjeç, banues në lagjen “29 Nëntori”, Fier.
– Eris Koliçi, 28 vjeç, banues në lagjen “Sheq Madh”, Fier.
– Xhevahir Myrtaj, 53 vjeç, banues në lagjen “Liri”, Fier.
– Artan Haxhiu, 33 vjeç, banues në lagjen “Mborostar Ura” Fier.
– Kostaq Papa, 31 vjeç, banues në Lagjen nr. 1, Sarandë.
– Enton Lahollari, 37 vjeç, banues në Lagjen Nr. 5, Pogradec.
– Artan Hasani, 48 vjeç, banues në rrugën e Qelqit, Tiranë.
– Barjam Hoxha, 57 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë për veprën penale të mashtrimit.
Në kuadër të këtij operacioni, po hetohen në gjendje të lirë me masën e sigurimit “Detyrim paraqitje” shtetasit:
– A.H, 62 vjeç, banues në Fier.
– A.N, banues në Fier.
– I.S, 48 vjeç, banues nëTiranë.
– D.S, 32 vjeç banues në Durrës.
– P.B, banues në Fier
– I.G, banues në Fier
Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
– S.P, 41 vjeç, banues në Fier.
– V.Gj, 65 vjeç, banues në Korçë.
KOHA JONË SONDAZH

