Familja me 8 anëtarë qëndron në çadër
Familja Veseli nga Fushë Miloti përbëhet nga 8 anëtarë. Shtëpia e tyre edhe pse ishte e vjetër goditjen finale e mori nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili i la përfundimisht në qiell të hapur. Etleva Veseli, e zonja e shtëpisë, tregon se tërmeti i dëmtoi shumë dhe që prej atij momenti ata kanë qëndruar në një çadër në mes të oborrit të tyre. Duke qenë se jemi në mes të stinës së dimrit, qëndrimi në çadër është edhe më i vështirë, pasi siç Etleva tregon, fëmijët janë sëmurë nga i ftohti. Aurela është në vit të dytë të gjimnazit dhe që nga momenti i tërmetit ajo së bashku me motrën e vogël detyrat i kanë bërë në çadër në kushte mjaft të vështira. Për t’i dhënë ndoshta sado pak atmosferë festive, vajzat e shtëpisë kanë rregulluar pemën në çadrën ku qëndrojnë prej ditësh. Festat e fundvitit familja Veseli do t’i kalojë në çadër, ndryshe nga vitet e tjera kur kishin një çari mbi kokë, ndërsa dëshira e vetme për këto festa është të kenë një strehëz të ngrohtë si gjithë të tjerët.