Familjarët e pacientëve me Covid-19 po flenë në hotele

Pranë spitaleve Covid, çdo ditë gjen familjarë të pacientëve të prekur nga virusi. Ka prej tyre që qëndrojnë në oborr prej ditësh. E njëjta situatë është edhe për një familje nga Burreli, që pret përmirësimin e 70-vjeçares së shtruar. Infektimin nga Covid-19 nuk mund ta kuronte në shtëpi apo në spitalet rajonale, ndaj u detyruan t’i drejtohen kryeqytetit.

”Ishte e sëmurë me Covid. Një javë ndenji në shtëpi. Pas një jave u përkeqësua gjendja. Erdhi ambulanca e Klosit, e mori, e çoi në Burrel, nga Burreli këtu. Oksigjenin në Burrel e kishte 20 litra, dje na thanë 15, sot 10 thonë”, tregojnë familjarët.

Qëndrimi në Tiranë për familjarët ka kosto shtesë ekonomike. Thonë se janë të detyruar të rrinë për t’i dhënë mbështetje, edhe pse jashtë ambienteve spitalore: “Në Tiranë kemi qëndruar se s’mund ta lëmë vetëm. Rrimë në hotel. Kosto ka çdo gjë se kostot do i marrësh parasysh. Po të ikim ne, i krijon dhe stres, se thotë më lanë vetëm. Se këtu kanë dalë probleme thonë, është spital i keq, që vdes. Prandaj do rrimë këtu deri kur të dalë”.

Kushtet e shërbimit shprehen se janë përmirësuar, pas denoncimit të rasteve në media për abuzim me familjarët e të shtruarëve ”Pas denoncimeve që janë bërë, është më mirë. Kështu thonë të gjithë. Pacientët që kanë qenë brenda, thonë shumë mirë. Para 5 minutash fola më tha që më kanë bërë shërbim shumë mirë”.

SHKARKO APP