Familjet e xhihadistëve, Kuko: Të kthejmë gratë dhe fëmijët nga Siria dhe Iraku
Në Konferencën Rajonale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm që po mbahet në Tiranë, zv-ministrja e Brendshme, Romina Kuko, tha se prioritet mbetet kthimi i shqiptarëve që ndodhen në zonat e luftës, në Siri dhe Irak. Ajo shtoi se Shqipëria ka forcuar bashkëpunimin me CIA-n apo FBI-në. Dhjetra gra e fëmijë kanë mbetur në zonat e luftës në Siri, pasi prindërit e bashkëshortët e tyre janë vrarë gjatë pjesëmarrjes në luftime.
Kthimi i shtetasve shqiptarë që kanë mbetur në zonat e luftës në Siri dhe Irak, mbetet një prirotet i autoriteteve shqiptare.
Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, e deklaroi këtë fakt në konferencën rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm që po mbahet në Tiranë.
Ajo shtoi se nëse vërtetohet se shtetasit shqiptarë kanë qenë aktivë në luftë, duhet të ndëshkohen sipas ligjit të ndryshuar shqiptar, që parashikon jo më pak se 15 vite burg.
Kuko deklaroi se prioritet mbetet riintegrimi në shoqërinë shqiptare i të kthyerve nga lufta, pasi atje ndodhen me dhjetra gra dhe fëmijë të xhihadistëve shqiptarë.
Zv/ministrja e Brendshme, theksoi edhe bashkëpunimin me CIA-n apo FBI-në.
Kuko: Ne kemi forcuar bashkëpunimin me partnerët strategjikë të ShBA-së si FBI dhe CIA, me strukturat homologe të vendeve të rajonit dhe Europës, me misionet policore pranë Policisë së Shtetit ICITAP, PAMECA dhe zyrat rajonale të sigurisë së Ambasadave të akredituara në Republikën e Shqipërisë për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, të individëve, shtetas të huaj dhe të huaj të dyshuar për përfshirjen në konflikte të armatosura jashtë vendit apo individë potencialisht të rrezikshëm për sigurinë kombëtare.
Sipas saj, Antiterrori po mban nën survejim të kthyerit nga këto vende, të cilët mbajnë profil të ulët dhe nuk shprehen për përjetimet në Siri dhe Irak, ndërsa prioritet për këtë vit mbetet parandalimi, zbulimi dhe goditja e çdo veprimtarie kriminale, me sfond terrorist.
Nga viti 2013 e në vazhdim, në Siri kanë mbetur fëmijët e gratë e dhjetëra personave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, të cilët kishin shkuar në frontin e luftës bashkë me familjet.
Pas vrasjes së këtyre personave në luftime me forcat e regjimit sirian, gratë dhe fëmijët kanë mbetur në kampe ku shfrytëzohen për mjekimin e të plagosurve.
KOHA JONË SONDAZH

