Fati i Berishës në dorën e SPAK, çfarë do të shkruajnë në zarf? Këtë të premte…

Në orën 13:00, korrieri i parlamentit dorëzoi në SPAK zarfin e mbyllur, ku gjendej autorizimi parlamentar ndaj Sali Berishës, për të cilin prokuroria kërkoi ta zhveshë nga imuniteti për ti hapur rrugë arrestimit të tij.

Nëpunësi me shkresën më të rëndësishme të ditës erdhi dhe u largua nga SPAK me monopat elektrik. Prokurorët e posaçëm konfirmuan për Top Channel se u nevojiteshin orë përtej kohës zyrtare për ti kërkuar gjykatës arrestin e ish-kryeministrit. Jo zyrtarisht kërkesa që mund të jetë arrest me burg ose arrest shtëpiak, SPAK po bëhet gati ta paraqesë të premten.

Prokurorët do komunikojnë me gjyqtaren me zarf të mbyllur, të cilës do i parashtrojnë arsyet se përse kërkojnë ashpërsim të masës së sigurimit. Shkaku për SPAK është ai i mosbindjes së Sali Berishës ndaj vendimit të gjykatës, duke mos u paraqitur në tre raste para oficeres së policisë gjyqësore. Tre të hënat refuzuese të ish-kryeministrit, janë shkelja që dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, ja bashkangjitën fashikullit “Partizani”.

Gjyqtarja e hetimit paraprak është e detyruar të thërrasë palët në një seancë që mbahet mes tyre, ku duhet të jenë të pranishëm dhe dy avokatët e Berishës ose vetë ai, dhe është e detyruar ta njoftojë palën e dyshuar në adresën e njohur zyrtare, që është apartamenti në rrugën “Mustafa Matohiti”. Përpara se të shkohet në seancë SPAK që ka zarfin aprovues të parlamentit, duhet të zbulojë se cfarë do të shkruajë në zarfin e tij, arrest shtëpie apo arrest me burg. Mundësitë janë arrest shtëpie. /Top Channel/

SHKARKO APP