Fati tragjik i dy familjeve që humbën jetën nën gërmadha
Tërmeti vdekjeprurës shkatërroi dhe mori jetën e shumë qytetarëve që nuk arriten dot të gjenin derën e shpëtimit në 30 sekonda tmerri dhe fatale për jetën e tyre. Në Thumanë janë rrënuar dy pallate banimi duke zënë brenda fëmijë, gra, burra dhe të moshuar. Një fat tragjik për familjen Cara nga Mirdita me banim në Thumanë, ka rezultuar tërmeti i 26 nëntorit. Në pallatin e rrënuar, banonin 9 pjesëtarë të familjeve të dy vëllezërve Cara, një në katin e 5-të ku ka mbetur vetëm dera hyrëse dhe familja tjetër në katin e parë mbi të cilën ka rënë të gjitha inertet e 4 katëve të mësipërme. Me ndihmën e banorëve dhe grupeve të shpëtimit është arritur që Albert Cara të nxirret i gjallë nga banesa për t’u drejtuar më pas drejt spitalit të Traumës ku i është nënshtruar operacionit.
Nuk kanë pasur të njëjtin fat Hasan Cara dhe Stela Cara, të cilët dolën të pajetë nga rrënojat e objektit. Falë ndërhyrjes së trupave greke që fillimisht i kanë dhënë oksigjen dhe më pas i kanë injektuar adrenalinë për t’i rritur parametrat jetësorë, Lindita Cara ka arritur të dalë nga gërmadhat ku ka qëndruar prej më shumë se 10 orësh. Familjet Cara nuk kanë më asnjë informacion për 5 pjesëtarët e tjerë të familjes. Almir Cara, Fatmira Cara, Erisa Cara, Anthi Cara, Sadaja Cara ndodhen ende nën rrënoja, edhe pse nuk dihet ende nëse kanë arritur të mbajnë frymën gjallë apo fati i tyre është shënuar nga termeti fatkeq.
Tragjedia ka shoqëruar dhe familjen Gregu në Thumanë, ku humbën jetën 3 pjesëtarë. Edhe pse grupet e shpëtimit arriten ta nxirrnin të gjallën djalin Saimir Gregu gjatë ditës së martë, ai nuk ka rritur t’i shpëtojë plagëve të marrë dhe traumës duke gjetur vdekjen në Spital. Bilanci tragjik për këtë familje, pasi nën të njëjtën ditë me vdekjen e djalit të tyre, nga gërmadhat kanë dalë edhe trupat e pajetë të Pëllumb dhe Çelike Gregu. /Ora News/