Fatkeqësitë natyrore, Mediu: Të krijohet një strukturë rajonale emergjence

Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, teksa foli në A2 për tragjedinë nga tërmeti, u shpreh se ka ardhur koha të krijohet një strukturë emergjence rajonale për menaxhimin sa më të mirë të situatave të tilla.

“E rëndësishme që qeveria dhe drejtësia të veprojnë”

“Është një tragjedi e madhe për qytetarët shqiptar dhe do të jetë krejt e pakëndshme dhe e papranueshme , e pamoralshme, që mbi këtë tragjedi të krijohen lojëra politike. Dua të vlerësoj dhe falënderoj të gjithë ata njerëz që u angazhuan në komisionin e kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat dhe për të gjithë ata që u angazhuan për të krijuar një mundësi strehimi për banorët që humbën banesat e tyre. Nga ana tjetër, dua të theksoj se qeveria duhet të bëjë punën e saj dhe specialistët të bëjnë punën e tyre, prokuroria të bëjë punën e saj dhe sistemi i drejtësisë të bëjë punë të pavarur. Politika, duke u angazhuar për të qenë afër qytetarëve në këtë moment, është e rëndësishme që specialistët e ndërtimit të vendosin se çfarë duhet bërë dhe jo ta bëjnë ministrat apo kryeministri”.

“Të krijohet një strukturë rajonale emergjence”

“Kemi 3 rreziqe të përvitshme në Shqipëri, zjarri, përmbytjet dhe tërmetet. Ka ardhur momenti për ndërtimin e një strukture emergjencë, strukture për fatkeqësitë natyre. Një strukturë tërësisht funksionale. Kjo ka nevojë për mjete të një niveli të sofistikuar. Mendoj se Ministria e Mbrojtjes duhet ta marrë shumë seriozisht krijimin e një strukture të tillë. Për të qenë më efektive, unë mendoj se ka ardhur koha që ne me fqinjët tanë të ndërtojmë një strukturë rajonale, e cila mund të ofrohet shumë herë më mirë në një qasje rajonale, në mbështetje nga NATO”.

Siguria dhe sulmet kibernetike

“Po të lexohet deklarata e Samitit të Londrës, duket qartësisht një orientim i aleancës në një marrëveshje më të fuqishme të Amerikës së Veriut me Europën. Kërcënimi i Rusisë është real. Ndërhyrja ushtarake në Gjeorgji apo pushtimi i Ukrainës janë akte agresive që kërkon tu japë mesazh vendeve që duan të bëhen pjesë të NATO-s. Ndërkohë, kemi një faktor të ri që është një mundësi edhe një risk në të njëjtën kohë për vendet e NATO-s, që është Kina. 5G-ja është një mundësi e jashtëzakonshme për vendet që do ta përdorin atë dhe flitet për 3-4 trilionë dollarë shtesë për të ardhurat e një vendi. Por nga ana tjetër, 5G-ja shoqërohet edhe me risqe të caktuara. Kemi sisteme demokratike që kanë sistem rregullator për jetën, zhvillim ekonomik, kemi dhe sisteme të tilla që janë të kontrolluara. Sistemi kinez është një sistem i kontrolluar, pavarësisht se është një sistem drejt ekonomisë së tregut”.

SHKARKO APP