Fatmir Mediu pritet nga kryeministri i Rumanisë: Të pabaza krahasimet mes Kosovës dhe Ukrainës

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ndodhet në Rumani, ku u prit në një takim nga kryeministri Nicolae Ciucă, bashkë me përfaqësues të Kongresit Amerikan, parlamentit Britanik dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE. Mediu falënderoi kryeministrin rumun për mbështetjen që Rumania i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin në NATO dhe negociatat për BE-në. Kryeministri Rumun shprehu mbështetjen për përfshirjen e Shqipërisë në nisma të rëndësishme siç është ajo e “3 Deteve”, e cila mbas pushtimit të Ukrainës merr një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe shmangien e varësisë energjetike të Europës nga Rusia dhe ndikimi Kinës.

Mediu vuri theksin se çështjet e sigurisë janë shumë komplekse dhe kërkohet që parlamentet të përfshihen gjerësisht. Ai theksoi se Putin në mënyrë të paligjshme sulmoi Ukrainën duke kërkuar të destabilizojë gjithë Europën. Duket qartësisht se në këtë përpjekje, Rusia ka një aleancë të qartë me Kinën.

”Krahasimet që bëhen ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës janë krejt pa baza dhe tregojnë qartë që Rusia kërkon të krijojë tensione në Ballkan. Samiti i NATO-s ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe kërkon që vendet anëtare të NATO-s në Ballkan të dalin me qëndrim të përbashkët për të shmangur influencat dhe tensionet e mundshme të stimuluara prej Rusisë dhe Kinës”.

SHKARKO APP