Fatmir Mediu: S’do jem në protestën e 6 dhjetorit, PD të konsultohet me partitë europiane

Opozita nuk do të jetë e bashkuar për protestën e thirrur më 6 dhjetor, kur në Tiranë do të vijnë të gjithë figurat e larta të Europës, pasi do të mbahet Samiti i parë BE-Ballkani Perëndimor. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, një nga aleatët e vjetër të Sali Berishës, thotë se nuk do të jetë i pranishëm nëse protesta do të mbahet më 6 dhjetor.

Në një intervistë për ”Euronews Albania”, Mediu tha se atë ditë do të jetë në Uashington, në një takim të Internacionales Demokratike. Për të opozita duhet të konsultohet me partnerët e saj për protestën, si Partitë Popullore Europiane dhe Partitë Konservatore Europiane.

“Unë padyshim e vlerësoj që protesta është një nga elementët më të domosdoshëm politik, në mënyrë të veçantë të opozitës. Por për protestën e 6 dhjetorit as nuk më ka pyetur kush, as më ka kërkuar njeri mendim. Por ajo që dua të them, është që protesta nuk duhet kthyer në qëllim në vetvete të opozitës. Ka disa rrafshe në të cilat duhet të punojë opozita.

Meqë ndodhemi para një samiti të rëndësishëm, është e rëndësishme atë marrëdhënie që ka Partia Demokratike apo Republikane, dhe parti të tjera të opozitës, në momente të tilla duhet të kemi një qëndrim të përbashkët me partnerët tanë, me Partitë Popullore Europiane, me Partitë Konservatore Europiane, edhe me ata njerëz apo qendra vendimarrëse europiane, në mënyrë që mos të krijojmë perceptime të gabuara të cilat mund të kthehen në disavantazh opozitar.

Po të më kishin pyetur, do thoja në radhë të parë që duhet patjetër të konsultoheshim me Partitë Popullore Europiane, që kanë peshën kryesore jo vetëm në PE, por në qendrat më të mëdha vendimarrëse, në mënyrë që të mos lëmë shteg për keqinterpretime apo abuzime me aktivitetin politik opozitar”.

SHKARKO APP