Fatmira Hajdari në ”Vetting”. KPK: Ka revokim vize nga SHBA-ja
Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari, ka dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shoqëruar nga dy avokatët e saj Maks Haxhia dhe Ilira Dane. Rivlerësimi i gruas së të ndjerit Azem Hajdari bëhet për dy kritere, pasurinë dhe figurën. Për sa i përket pasurisë, ILDKPI ka deklaruar se nuk ka fshehje të pasurisë, mosdeklarim apo konflikt interesi por KPK pretendon për disa shuma të pajustifikuara. Sipas KPK, Hajdari ka mungesë burimesh të ligjshme pasurie për vite me radhë.
Përpara vitit 2003 ka mungesë burimesh të ligjshme për 18 milionë lekë. Për vitin 2003, mungesë për 1 mln lek, për vitin 2005 mungesë për 2 mln lekë, për vitin 2006 mungesë gati 5 milionë lekë, për vitin 2008 gati 5 milionë lekë, për vitin 2010 gati 3 milionë lekë, për vitin 2013 ka mungesë për 15 milionë lekë, për vitin 2015, 1,5 milionë lekë dhe për vitin 2016 për 6 milionë lekë.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka konstatuar përshtatshmëri për vijimin e ushtrimit të detyrës. Në 27.1.17 pyetjes “A ju është refuzuar hyrja në ndonjë vend të BE-së, Hajdari ka thënë jo”. Por rezulton se asaj i është revokuar viza për në SHBA, që është vend i NATO-s.
DSIK ka përcjellë raport të rishikuar. Në këtë raport grupi i punës shprehet: Fatmira Hajdari ka bërë deklarim të pasaktë. Mosdeklarimi e ngarkon me përgjegjësi për të dhëna të pasaktë në formular dhe DSIK mbërrin në konkluzion për papërshtatshmërinë e Hajdarit për vijimin e detyrës. Subjekti ka deklaruar se nuk është pyetur për revokim vize. Ajo ka shpjeguar se deri në momentin e plotësimit të formularit nuk ka pasur dijeni për revokimin.