Fatos Lubonja: Henri Çili nuk është peshku i madh. Akuzat ndaj tij, një qelizë se si funksionon e gjithë Shqipëria
Analisti Fatos Lubonja ka folur për arrestimin dhe më pas lirimin e botuesit të njohur Henri Çili.
Lubonja tha për “News24” se Çili nuk është peshk i madh, ndërsa shtoi se nëse akuzat ndaj tij qëndrojnë, kemi të bëjmë me një qelizë se si funksionon e gjithë Shqipëria.
“E kam ndjekur debatin dhe e kanë bërë sikur është sulm ndaj medias. Mendoj se problemet e drejtësisë duhen parë dy aspekte në këtë rast. Unë mendoj se këtu nuk kemi të bëjmë me goditje të një analisti. Problemi i dytë është se pse nuk na del ai gjyqtari, na del edhe problemi i selektivitetit. Çili nuk është peshku i madh, por vetëm një qelizë se si funksionon gjithë Shqipëria. Në Shqipëri ka mbetur si rrugëzgjidhje ekonomia kriminale, në shumicë. Nëse qëndron ajo akuzë, është vetëm një qelizë që ka qeliza shumë më të mëdha.
Unë mendoj se gjithë shoqëria shqiptare ka këtë problem, që duke mos prodhuar dot ekonomi të shëndoshë, gjithmonë e më shumë jemi mbajtur tek ekonomia kriminale, për të mbajtur veten dhe shtetin. Qeliza kryesore është Edi Rama. Pallatet e mëdha në mes të Tiranës janë para të pastrimit. Sipas akt-akuzës, Çili është pjesë e sistemit. Ky fenomen duhet goditur”, tha Lubonja.